Presidenti i ri Bajram Begj bëri sot betimin në Kuvend dhe më pas në një ceremoni përpara Presidencës, iu dorëzua detyra zyrtarisht nga ilir Meta.
Në ditën më të rëndësishme të karrierës së tij, Begaj ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy djemtë.
Betimi në Kuvend
Pas betimit me dorën në zemër dhe mbi Kushtetutë, Begaj u ngjit në foltore dhe mbajti një fjalim para deputetëve.
Ai tha se maxhoranca dhe opozita duhet të gjejnë rrugën e bashkëpunimit përpara konfliktit ndërsa shtoi se po jetojmë një periudhë të vështirë për shkak të luftës në Ukrainë.
Gjatë fjalimit të tij të parë si presidenti i ri i Republikës, Begaj ka deklaruar se ai nuk do qëndrojë neutral ndaj konflikteve politike, ndaj atyre që sipas tij vendosin interesin personal mbi atë kombëtar.
Betimi i Presidentit të ri u shoqërua me një thirrje për unitet të kombit dhe lënie mënjanë të ndasive politike.
Pas fjalimit të tij u largua në shoqërinë e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, por në largim takoi edhe disa prej figurave politike të opozitës.
Dy përfaqësuesit e parë të opozitës që e takuan ishin: deputeti demokrat Kreshnik Çollaku dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Në seancë munguan kryetari i PD-së Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij.
Nga Kuvendi drejt Presidencës
Pas Kuvendit, Begaj iu drejtua Presidencës ku u prit për rreth 10 minuta para fillimit të ceremonisë zyrtare të kalimit të detyrës nga paraardhësi i tij në detyrë, Ilir Meta.
Sikurse shihet në videon e mëposhtme, Meta i ka treguar Begajt disa nga ambientet e godinës për ta familjarizuar disi me zyrën ku do të kalojë 5 vitet e ardhshme.
Dorëzimi i detyrës
Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, ia dorëzoi detyrën Presidentit të ri Bajram Begaj.
Pas kësaj, kreu i ri i Shtetit ka mbajtur një fjalim të dytë para të gjithë të pranishmëve.
Ai falenderoi si fillim paraardhësin e tij në këtë detyrë, Ilir Metën.
“Dëshiroj të falenderoj presidentin Meta, për përmbushjen e detyrës, komunikimin institucional dhe personal që patëm gjatë kohës që ushtrova detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe gjatë periudhës së transferimit të detyrës.
Për mua sot është një ditë e veçntë. Padyshim është dita më e rëndësishme e jetës sime. Jam përpara jush dhe ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të madh të nujë individi, të zgjedhur në postin më të lartë të shtetit, atë të presidentit të Republikës.
Ky besim më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve të kombit tim, ndaj historisë së shtetit tonë, partnerëve të Shqipërisë por edhe ndaj miqve dhe familjes sime…”- tha ai.
Largimi i Metës
Pasi i dorëzoi detyrën Presidentit Bajram Begaj dhe përshëndeti shqiptarët duke bërë shqiponjën me duar, Ilir Meta u largua në këmbë nga Presidenca.
Në 5 vite të mandatit të tij, kujtojmë se Ilir Meta pjesën më të madhe e pati me përballje me maxhorancën socialiste duke kthyer mbi 70 ligje në Parlament, duke mos pranuar të dekretojë një ministër (Gent Cakajn si ministër i Jashtëm), zhdekretoi datën e zgjedhjeve dhe madje thirri edhe një protestë kundër qeverisë.
Fotoja familjare dhe futja në Presidencë
Pas fjalimit në drejtim të popullit shqiptar, Begaj i është drejtuar godinës së Presidencës.
Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Armanda Begaj dhe dy djemtë. Ata ishin të pranishëm edhe gjatë betimit në Kuvend. Të gjithë sëbashku pozuan për foton e parë si familja presidenciale.
Të tjera foto: