Vendosni fjalën kyçe....

“Dita më e rëndësishme e jetës sime” – Bajram Begaj i drejtohet popullit: Do të jem shërbëtori juaj


Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj ka mbajtur një fjalim për t’iu adresuar popullit.

Kjo direkt pas marrjes zyrtare të detyrës dhe dorëzimit të Kushtetutës nga drejtuesja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

“I nderuar z.Meta, e nderuar zonja kryetare e Kuvendit, i nderuar z.kryeministër, e nderuar kryetare e Gjykatës Kushtetuese, e nderuar presidentja Osmani, shkëlqesi ambgasadorë, të nderuar miq e të ftuar, të dashur qytetarë dhe bashkëkombas. Ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen.

Dëshiroj të falenderoj presidentin Meta, për përmbushjen e detyrës, komunikimin institucional dhe personal që patëm gjatë kohës që ushtrova detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe gjatë periudhës së transferimit të detyrës.

Për mua sot është një ditë e veçantë. 

Padyshim është dita më e rëndësishme e jetës sime. Jam përpara jush dhe ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të lartë të një individ të zgjedhur në postin më të lartë të shtetit, atë të Presidentit të Republikës.

Ky besim më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve të kombit tim, ndaj historisë së shtetit tonë, partnerëve të Shqipërisë por edhe ndaj miqve dhe familjes sime.

Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, për të mbrojtur pavarësinë e Republikës dhe për t’i shërbyer interesave dhe përparimit të kombit shqiptar. Do të jem shërbëtor i popullit tonë, bashkëpunëtor i palëkundur i unitetit kombëtar.

Do të jem kontribuues dhe përkrahës i komunikimit dhe i bashkëpunimit, i nismave e ideve që çojnë përpara shoqërinë tonë. Dialogu dhe bashkëpunimi midis forcave politike, shoqërisë civile, komuniteteve fetare, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, respektimi dhe pranimi i debatit, mundëson që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për qytetarët e vendin.

Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve, që kanë përgjegjësinë për të forcuar liritë dhe të drejtat e njeriut, mbrojtur dhe promovuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen.

Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike, për të arritur objektivat tonë kombëtar. Unë do të inkurajoj dhe mbështes çdo veprim për të arritur marrëdhënie të shëndosha midis institucioneve kushtetuese.

Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi, jo thjesht se ky është kusht thelbësor për anëtarësimin në BE, por edhe sepse ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur dhe me integritet garanton luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Reforma në drejtësi me ndihmën e aleatëve tanë strategjikë por jep frytet e saj. E gjej të udhës të ritheksoj se miqtë tanë te Shqipëria e shqiptarët të gjejnë kurdoherë partnerin e tyre të mire besuar.

Mbajta e konferencës së parë ndërqeveritare me BE është një arritje e madhe mëse e merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët. Kjo ngjarje shënon vetëm fillimin e një kapitulli të ri, ku duhet të jemi të gjithë bashkë krah për krah. Shqipëria dëshmon se edhe popujt e vegjël kontribuojnë në sigurinë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.

Njëzëshmëria e popullit shqiptar për mbrojtjen e popullit ukrainas tregojnë se ne jemi bashkë për kauza të mëdha. Angazhimi ynë në NATO e bën Shqipërinë më të fortë, më të qetë dhe më të sigurtë. Por lufta në Ukrainë bën të qartë se siguria dhe paqja nuk sigurohen pro fitohen.”– tha Begaj.

Ky është fjalimi i tij i dytë për sot, pasi më herët mbajti një tjetër fjalim pas betimit para Kuvendit.