Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov: Rusia nuk po kërkon heqjen e sanksioneve


Moska nuk po kërkon heqjen e sanksioneve, por u kërkon shteteve perëndimore të rregullojnë problemet që kanë krijuar në tregun global të ushqimit. Kështu tha të dielën ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

“Ne nuk po kërkojmë heqjen e sanksioneve, ato janë probleme që meritojnë të trajtohen veçmas. Ne thjesht do ta zhvillojmë ekonominë tonë tani duke u mbështetur në partnerë të besueshëm dhe jo në ata që kanë dëshmuar edhe një herë paaftësinë e tyre totale…

Për sa i përket ushqimit, kolegët tanë perëndimorë… duhet të heqin pengesat që ata vetë kanë krijuar.”– tha diplomati pas bisedimeve me homologun e tij egjiptian, Sameh Shoukry, në Egjipt.

Ai vuri në dukje se Moska nuk do të kishte rënë dakord për marrëveshjen e së premtes për zhbllokimin e eksporteve të grurit të Ukrainës, nëse çështja e lirimit të eksporteve ruse nuk do të ishte zgjidhur. Moska tani po mbështet tek OKB-ja që t’i përmbahet premtimit të saj dhe të ndihmojë në heqjen e kufizimeve që pengojnë dërgesat ruse të grurit.

“Këto kufizime të paligjshme që u vendosën… penguan operacionet me grurin rus, duke përfshirë sigurimin, duke përfshirë pranimin e anijeve tona në portet e huaja dhe hyrjen e anijeve të huaja në portet ruse.”- tha Sergej Lavrov sipas RT-së.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Stamboll me iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ai doli vullnetar për të kërkuar heqjen e këtyre kufizimeve të paligjshme. Le të llogarisim që ai të ketë sukses.”- shtoi ministri i Jashtëm rus.

Lavrov kohët e fundit akuzoi Perëndimin se ka heshtur qëllimisht për ndikimin e sanksioneve të lidhura me Ukrainën në eksportet e Rusisë.