Vendosni fjalën kyçe....

“News 24” publikon tre rastet e emërimeve nepotike te Doganat, institucioni i Gent Gazhelit i kujton konfliktin e interesit


Këtë të dielë “News 24” ka vazhduar me denoncimet ndaj drejtorit të përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli.

Ky televizion dhe portali “Balkanweb” kanë publikuar sot tre raste, kur persona të të njëjtës familje ndajnë postet në institucionin e drejtuar nga Gazheli.

Rasti i parë është i Alfreda Trajanit, e cila është drejtoreshë e komanduar te Burimet njerëzore, ndërsa e bija, Gestina Bregu (Trajani) është specialiste te anti-korrupsioni i Doganave.

Rasti i dytë: Eglantina Kaja është përgjegjëse te sektori i pagesave, ndërsa e bija Enxhi Kaja është doganiere te aposteriori 5 ditor.

Rasti i tretë: Ajla Petrela është sekretare e Gazhelit, ndërsa bashkëshorti Alban Fishka është doganier fizik në doganën e Tiranës.

Lidhur me këtë publikim, nuk ka vonuar reagimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila nuk i mohon këto emërime por thotë se këta punonjës janë në administratën doganore që para emërimit të Gazhelit si Drejtor i Përgjithshëm.

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndjen si detyrim për publikun të sqarojë, në lidhje me lajmin e News 24, media e cila prej ditësh hedh baltë mbi këtë institucion, se:

Këta punonjës janë në administratën doganore që para ardhjes së zotit Gazheli në detyrë si Drejtor i Përgjithshëm,

Këta punonjës janë emëruar në detyrat përkatëse në përputhje me ligjin dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi “shmangien e nepotizmit në administratën publike”( Vendim nr.20, date 11.07.2006 i Gjykates Kushtetuese).”– thuhet në njoftimin për shtyp, ku sillet ndërmend konflikti mes televizionit dhe drejtorit të Doganave.

Drejtori Genti Gazheli pretendon se sulmi nga media e Irfan Hysenbelliut ka ardhur pas një gjobe prej 23 715 310 të vendosura ndaj biznesit të këtij të fundit “Birra Tirana” për evazion fiskal.

“Sqarojmë se njësoj si akuza për katër punonjësit e Doganës, që u riciklua ‘rastësisht’ në median e News 24, (në momentin kur kompania e tij e birrës u gjobit nga dogana për evazion fiskal), edhe akuzat e sotme për emërime gjoja nepotike u ricikluan po ‘rastësisht’ si pjesë e sulmit mediatik që po i bëhet DPD.”– thuhet në reagimin e Doganave.

Ndërkohë lidhur me këto publikime ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Në nujë postim në “Twitter” ku adreson çështjen e sulmit kibernetik (lexo këtu) përmend në një fjali dhe denoncimet për Doganat duke i dalë në krah Gazhelit.

“Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë!”- shkruan kryeministri.

Kujtojmë se dy ditë më parë, pas disa denoncimeve grejtori i Doganave Gent Gazheli akuzoi Irfan Hysenbelliun për gjobëvënie dhe shantazh.

Kjo pasi një nga kompanitë e Hysenbelliut ishte gjobitur nga drejtoria e doganave për evazion tatimor.

“Grupi mediatik i pronarit Irfan Hysenbelliu, njëkohësisht edhe sipërmarrës i kompanisë “Birra Tirana”, ndëshkuar së fundmi me 23 715 310 (njëzet e tre milon e shtatëqind e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e dhjetë lekë) gjobë nga Dogana Shqiptare vazhdon shantazhin mediatik në adresën time. Ndërkohë pas autoriteteve shtetërore unë po vijoj informimin e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu do të informoj edhe shoqatat e medias brenda dhe jashtë vendit për këtë shantazh ndaj meje personalisht, i cili është i tillë dhe s’ka lidhje me misionin e informimit të publikut…”- shkruante Gazheli.

REAGIMI I SOTËM I DREJTORISË SË DOGANAVE

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndjen si detyrim për publikun të sqarojë, në lidhje me lajmin e Neës 24, media e cila prej ditësh hedh baltë mbi këtë institucion, se:

Këta punonjës janë në administratën doganore që para ardhjes së zotit Gazheli në detyrë si Drejtor i Përgjithshëm,

Këta punonjës janë emëruar në detyrat përkatëse në përputhje me ligjin dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi “shmangien e nepotizmit në administratën publike”( Vendim nr.20, date 11.07.2006 i Gjykates Kushtetuese).

Fabrikimi i sotëm shton zinxhirin e shpifjeve të News 24 , për të cilat Administrata Doganore Shqiptare do të vazhdojë të informojë partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe shoqatat ndërkombëtare të medias.

Sqarojmë se njësoj si akuza për katër punonjësit e Doganës, që u riciklua “rastësisht” në median e News 24, (në momentin kur kompania e tij e birrës u gjobit nga dogana për evazion fiskal), edhe akuzat e sotme për emërime gjoja nepotike u ricikluan po “rastësisht” si pjesë e sulmit mediatik që po i bëhet DPD.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të vazhdojë të respektojë çdo gërmë të ligjit kundrejt çdo punonjësi të saj apo biznesi, pa asnjë dallim, pavarësisht “baltës” mediatike që po hidhet.