Vendosni fjalën kyçe....

Vasili për videon e kreut të Fondacionit që do menaxhojë Butrintin: As armiqtë tanë më të zinj s’kanë guxuar të gënjejnë kaq bastardisht sa ky


Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka reaguar lidhur me videon e Richard Hodges, kreut të Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin, kur ai iu bën leksion studentëve anglezë për Shqipërinë.

Vasili i përgjigjet studiuesit Auron Tare, i cili më herët gjatë ditës së sotme e shpërndau këtë video në rrjetet sociale dhe u kërkoi publikisht deputetëve që ta shohin dhe të kuptojnë se kë kanë zgjedhur të “rishkruajë historinë”.

Në një postim, Vasili shprehet se mënyra si Hodges u flet studentëve tregon se ai është i “super preferuari” i kryeministrit Edi Rama ndërsa shton se as “armiqtë më të zinj” nuk kanë guxuar të gënjejnë kështu.

Megjithatë Vasili e korrigjon Taren në një pikë, duke thënë se marrëveshja për Butrintin nuk është miratuar unanimisht por nga Rilindja.

Në këtë video, Hodges u jep leksione para studentëve duke e cilësuar vendin tonë si produkt të fuqive të mëdha dhe shtet të formuar pa pasur asnjë shqiptar në kohën e themelimit.

“Është një vend (Shqipëria) i krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar, nga anglezët dhe fuqitë e tjera të mëdha në Londër. Morën një vendim politik pas Luftës së Dytë Ballkanike”– thotë Hodges.

Tare në mesazhin e tij për këtë video iu drejtua deputetëve duke iu thënë se ky është njeriu që kanë votuar jo vetëm të drejtojë 10 vitet e ardhshme Qendrën e Trashëgimisë Botërore të Butrintit, por edhe të rishkruajë të gjithë historinë e kësaj Qendre Arkeologjike Shqiptare.

REAGIMI I PETRIT VASILIT

Një korigjim i vogël dhe një falenderim i madh Auron Tares!

Falenderim Auronit për letrën ndaj deputetëve e veçanërisht edhe për VIDEON, që tregon se në çfarë duarsh të liga ka rënë Butrinti.

Auron në letër ke vetëm një gabim të vogël kur thua: “Prof. Richard Hodges, është personi të cilin Ju e votuat në unanimitet”.

Marrëveshja për Butrintin u miratua nga rilindja, ndërsa unë vetë kam votuar kundër, por jo vetëm unë.

Megjithatë sërish shumë falenderim për këtë VIDEO ku tregohet qartë se si Richard Hodges, kreut i Fondacionit, që do të menaxhojë Butrintin ju flet studentëve për Shqipërinë:

“Është një vend (Shqipëria) i krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar, nga anglezët dhe fuqitë e tjera të mëdha në Londër. Morën një vendim politik pas Luftës së Dytë Ballkanike”– thotë Hodges.

As armiqtë tanë më të zinj s’kanë guxuar të gënjejnë kaq bastardisht si ky Hodges, që është i superpreferuari i Ramës dhe rilindjes.