Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Lojërat e Ramës me shkarkime ministrash për të larguar vëmendjen, SPAK të hetojë aferat


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, ka komentuar ndryshimet e bëra sëfundmi në kabinetin qeveritar nga kryeministri Edi Rama.

Alibeaj thotë se këto janë manovrat e fundit të Ramës për të larguar vëmendjen.

“Lojrat me shkarkime ministrash janë manovrat e fundit të Edi Ramës për të tërhequr vëmendjen nga e vërteta e hidhur: kjo qeveri është përgjegjëse kryesore për katandisjen e Shqipërisë në këtë gjendje.

E për këtë, veç ministrave marionetë, përgjegjësia kryesore mbetet e njeriut që frymëzoi, drejtoi dhe sot zboi (si shumë të tjerë para tij) bashkëpunëtorë që bashkë me të, mbajnë përgjegjësi direkte për korrupsionin galopant që ka mbërthyer Shqipërinë.”– shprehet Alibeaj.

Më pas ai i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme SPAK të vijojë punën për hetimin e të gjitha aferave.

“Ftoj SPAK që ndërkohë të vijojë punën për hetimin e të gjitha aferave, dosjet e të cilave presin gjykimin dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve kryesorë të aferave të mëdha korruptive.

Vetëm gjykimi i drejtë dhe i pavonuar i këtyre dosjeve do të mund të vërë në vend drejtësinë e munguar dhe para përgjegjësie penale të gjjthë ata që për vite me radhë u majmën në kurriz të shqiptarëve.”– shkruan Alibeaj.