Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Majlinda Dhuka, kryenegociatorja e re e Shqipërisë dhe ministrja e re e Shtetit


Majlinda Dhuka do të jetë kryenegociatorja e re dhe ministre e Shtetit, duke zëvendësuar në këto detyra Zef Mazin si dhe Arben Ahmetajn i cili largohet nga kabineti qeveritar.

“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore & Ministre Shteti pranë kryeministrit.”–  njoftoi sot Rama në “Twitter”.

Por kush është Majlinda Dhuka?

Majlinda Dhuka është juriste me një eksperiencë rreth 20-vjeçare në sektorin publik dhe në angazhimin si lektore në universitete. Ekspertiza e saj fokusohet në çështjet e zhvillimit dhe rritjes, planifikimit dhe menaxhimit strategjik, projektet, financimet, investimet etj.

Prej vitesh ka punuar si mentore dhe lektore në një universitet privat në Tiranë, për lëndët Menaxhim Biznesi dhe Projektesh, Menaxhim Projektesh Inxhinierike, Qeverisje Korporatash etj.

Majlinda Dhuka është një nga personat që ka punuar ngushtë me kryeministrin Edi Rama që prej vitit 2013, siç tregon edhe profili i saj në Linkedn.

Në vitin 2019 ajo u emërua përfaqësuese e përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare, si dhe ka punuar si Zv/Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave.