Vendosni fjalën kyçe....

LSI ndryshon emrin, Meta merr drejtimin e Partisë së Lirisë, mesazhet e tij në Konventën Kombëtare


Ashtu siç ishte njoftuar më herët, LSI mbajti sot Konventën Kombëtare për të bërë formalisht ndryshimet e duhura teksa në skenën politike rikthehet sërish ish-presidenti Ili Meta.

Konventa zgjati rreth 90 minuta dhe që në fillim të saj u votuan ndryshimet në statut që mundësonin lëvizjet që do bëheshin më pas, në fund të saj për ndryshimin e emrit dhe drejtuesve të partisë me emërtimin e ri, Partia e Lirisë.

Fillimisht folën shkurtimisht ish-këshilltari i Metës në presidencë, diplomati Agim Nesho, profesori Petraq Milo e disa persona të tjerë përpara se fjalën ta merrte Ilir Meta.

Mesazhet e Metës

Që në krye të herës, Meta theksoi gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet vendi dhe urgjencën me të cilët kërkohet reagimi për të shmangur falimentimin e zhbërjen përfundimtare të Shqipërisë. Kryefjala e akuzave të tij ishte kryeministri Edi Rama, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha si dhe ajo që ai e quajti ‘mafia ndërkombëtare’.

Ai theksoi një zotim tijin gjatë tubimit të 2 marsit se do rikthente referendumet në vend për t’i dhënë populli sovranitetin e munguar.

Meta tha se Edi Rama ka punuar kundër interesit të Shqipërisë e Kosovës duke i dëmtuar ato sipas porosive e interesave të palëve të tjera. Teksa përmendi disa shembuj ai tha se Partia e Lirisë do përballej me atë të Dushan Mugoshës e patronazhistëve duke theksuar se synimi i saj ishte pastrimi i vendit nga kleptokratët e rilindjes mavi e asaj pjese të rilindjes blu të pazareve të 17 majit duke nënkuptuar ish-kreu e PD-së Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij.

Ai e akuzoi Bashën si pjesë të planit të mirëmenduar për shkatërrimin e vendit dhe dorëzimin e të gjitha pushteteve Ramës me djegien e mandateve dhe mosfutjen në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Meta tha se gjendja ekonomike, politike e shoqërore në vend është në pikën më kritike duke renditur disa shifra të marra nga institucionet ndërkombëtare tregojnë përkeqësim galopant në të gjitha drejtimet si korrupsioni, emigrimin masiv, ekonomia, taksat, emigrimi masiv, pluralizmi, demokracia, liria e të drejtat e njeriut etj.

Meta tha gjithashtu se Edi Rama ka dëmtuar vendin i ndihmuar nga ‘mafia ndërkombëtare’ që synon zhbërjen e vendit, pastrimin e parave të krimit dhe kthimin e tij në qendër logjistike të krimit të organizuar.

Teksa prezantoi synimet e tij në krye të Partisë së Lirisë, ai paralajmëroi një vjeshtë kushtuar demokracisë e pluralizmit të vendit duke theksuar se shumë shpejt Partia e Lirisë do përballej me atë të patronazhistëve dhe të Dushan Mugoshës.

Ndryshimet

Pas fjalës së Metës, në foltore u ngjit Sekretari i Përgjithshëm Braimllari i cili hodhi në votim ndryshimin e emrit të partisë dhe ngritjen e Komiteti Organizativ që do drejtojë Partinë e Lirisë deri në Konventën e ardhshme Kombëtare brenda dy muajve të ardhshëm, ku do zgjidhen organet e reja drejtuese.

Komiteti Organizativ do drejtohet nga Ilir Meta ndërsa zëvendës i tij do jetë Agim Nesho. Po kështu pjesë e komitetit do jenë deputetët e LSI-së, disa ish-deputetë e ish-ministra të saj dhe figura të tjera.

Në përfundim të Konventës, teksa dilte jashtë Pallatit të Kongreseve, Meta iu shmang një pyetjeje të drejtpërdrejtë nëse do takohej me kreun e PD-së, Berisha.