Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet ish-polici i RENEA-s dhe shoku i tij në Tiranë, armë me vete në makinë dhe në banesë


Një nga personat e arrestuar mbrëmjen e kaluar në Tiranë, që mbanin armë dhe sende të kundërligjshme, është ish-efektiv i repartit RENEA.

Ish- polici i vënë në pranga është Remal Rada.

Personi tjetër i arrestuar është Elton Hidhi. Ky i fundit ishte pasagjer në makinën e drejtuar nga Rada.

Policia thotë se gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po udhëtonin Rada dhe Hidhi, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi ai ato të Policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.

Po ashtu pas një kontrolli edhe në banesat e tyre, u gjetën një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak.

 

Njoftimi zyrtar i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në afërsi të rrethrrotullimit të Sanatoriumit, me një automjet, po qarkullonin 2 shtetas të armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Double strike”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– R. R., 39 vjeç, banues në Tiranë;

– E. H., 28 vjeç, banues në Laknas, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin R. R. dhe pasagjer shtetasin E. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi ai ato të Policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.

Në vijim të kontrollit, në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.