Vendosni fjalën kyçe....

Gazheli: Sfidoj grupin e gjobave të postojë dëshmitë e penalitetit të katër punonjësve


Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli ka vijuar përplasjen me median News 24 në pronësi të Irfan Hysenbelliut.

Gazheli i ka hapur sfidë duke i quajtur “grupi i gjobave” që të publikojnë dëshmitë e penalitetit të katër punonjësve të akuzuar se janë dënuar për kontrabandë në Greqi.

Kryedoganieri ka shigjetuar edhe deputetin Ervin Salianji si dhe ish-Presidentin Ilir Meta të cilët u deklaruan zyrtarisht sot për çështjen e katër punonjësve të doganës.

“Çfarë nderi për mua dhe çfarë turpi për partitë e non-gratave që të përdoren nga një i ndëshkuar për evazion si Irfan Hysenbelliu! E kisha dëgjuar që ky Ervin Babalja nxirrej me një telefon në sulm nga Irfani, po sot e provova vetë. Ashtu siç ishte e pritshme që kjo Partia e Lirisë do ishte edhe partia e Irfanit qysh ditën e parë! Por sot e sfidoj përsëri grupin e gjobave mediatike të zotit Irfan të publikojë të katër dëshmitë e pastra të penalitetit nga Greqia për të katër të akuzuarit nga Fania si të dënuar në Greqi! Natyrisht që nuk do t’i publikojnë, sepse ato media me në krye Neës24 nuk punojnë për të vërtetën po për Fanen dhe të punosh për zotin Irfan do të thotë të jesh edhe dhi e zgjebosur edhe bishtin përpjetë”, shkruan Gazheli. 

Vetëm sot Dogana publikoi njëanshëmërisht dëshmitë e penalitetit të katër punonjësve të siguruara në Greqi ku dalin të pastra.

Dogana në deklaratën e saj thotë se nuk është detyrë e punonjësve të provojnë pafajësinë por e akuzuesit, Irfan Hysenbelliut dhe medias së tij.

Sipas deklaratës së Doganës, media nuk publikoi asnjëherë dëshmitë apo prova se katër doganierët ishin dënuar në Greqi.

Media e z. Irfan Hysenbelli u lëshua në një fushatë baltosje ndaj institucionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, fill pasi kjo e fundit vendosi të gjobisë një nga kompanitë e tij për evazion fiskal.

Pjesë e fushatës denigruese ishte akuza pa asnjë fakt se katër punonjës të institucionit tonë ishin të dënuar nga gjykatat greke. Pavarësisht se e sfiduam disa herë zotin Irfan Hysenbelli dhe median e tij, për të paraqitur qoftë edhe një provë të vetme për akuzën që ngrinin, ata kurrë nuk botuan një dokument të vetëm nga gjykata e vendit fqinj që fliste për dënimet e pretenduara nga Irfan Hysenbelli.

Kur DPD paraqiti dëshmitë e penalitetit shqiptare për katër punonjësit e Doganës, pavarësisht se barra e provës qëndron mbi akuzuesin, e jo te akuzuarin, media e zotit Irfan vazhdoi gjobëvënien dhe shtoi dozën e sulmit, duke kërkuar dëshmi penaliteti nga shteti grek, jo nga ai shqiptar.

Sqarojmë se nuk është detyrim i asnjë prej katër punonjësve të Doganave të provojnë se janë të pafajshëm. Është detyrim i zotit Irfan të provojë fajësine e tyre. Por meqë zoti Irfan nuk e bëri kurrë këtë gjë, sot po i publikojmë ne katër dëshmitë e penalitetit të shtetit grek. Për t’u treguar shqiptarëve se ne respektojmë vetëm ligjin, si kur gjobisim një kompani në pronë të zotit Irfan për evazion fiskal, si kur mbrojmë punonjësit tanë, për sa kohë ata janë të padënuar”-thuhet në deklaratë.