Vendosni fjalën kyçe....

Grabitësit e antikave plaçkisin vendin rehat, kreu i Fondacionit të Butrintit tha se Shqipëria është shtet artificial, Rama nxjerr dy ministra për pianon e vjedhur në Itali


Dy ministra të Edi Ramës, përkatësisht ajo e Kulturës Margariti e ai i drejtësisë Manja, kanë dalë në një konferencë shtypi lidhur me një piano antike të vjedhur në Itali e që u kthehet autoriteteve italiane.

Të dy vlerësuan lart bashkëpunimin shqiptaro-italian sidomos në fushën e kulturës duke e quajtur aktin e kthimit një simbolikë të një bashkëpunimi në shekuj. Objekti në fjalë u vodh nga Konservatori i Parmës më 5 janar 2015 dhe i përket shekullit të 17-të.

Në konferencën për shtyp në Ministrinë e Drejtësisë morën pjesë edhe ambasadori italian në Tiranë Fabrizio Bucci e komandanti i Karabinierëve Roberto Riccardi.

“Një ceremoni shumë simbolikë. Jo se është akt i vogël por ka simbolikën e një bashkëpunimi në shekuj. Jemi këtu sot të lidhur përmes trashëgimisë kulturore, e cila nuk i përket vetëm Italisë por gjithë botës. Është e rëndësishme që të vlerësojmë këtu sot të gjithë punën që është bërë. Ne kemi një prioritet në ministri që është lufta kundër trafikut të objekteve kulturore. Italia është partner strategjik për ne.” – tha ministrja Margariti.

Ndërkohë shefi i drejtësisë Manja tha: “Është një shenjë e bashkëpunimit serioz me një vend mik që është Italia. Ne duam ta shtrijmë këtë bashkëpunim në të ardhmen pse jo për të bërë të mundur riatdhesimin reciprok të të gjitha veprave të trashëgimisë kulturore. Këto vepra të shkojnë aty ku ishin sepse janë pronë e popullit italian. Janë tregues i qartë i identitetit tonë kombëtar.”

Ndërkohë një reportazh francez i para pak ditëve theksonte se grabitësit e antikave dhe objekteve të tjera me vlera të mëdha arkeologjike kanë plaçkitur në Shqipëri çfarë u ka dashur qejfi pa u hyrë gjemb në këmbë nga autoritetet.

Gjithashtu ditët e fundit është shfaqur videoja e drejtorit të Fondacionit të Butrintit që do menaxhojë parkun, Richard Hodges i cili kohë më parë deklaronte se Shqipëria është shtet artificial i krijuar pa shqiptarët dhe se nga vendi u dëbuan grekët.

Pavarësht kësaj, nuk ka ende asnjë deklaratë nga qeveria Rama mbi deklaratat e kreut të Fondacionit të Butrintit Richard Hodges ndërkohë që grabitësit e antikave e objekteve të trashëgimisë kulturore vijojnë qetësisht punën.