Japonia ka ekzekutuar një burrë të dënuar për vrasjen e shtatë personave dhe plagosjen e dhjetë të tjerëve në një aksident me automjet dhe sulm me thikë në Tokio 14 vjet më parë, u tha gazetarëve të martën ministri i Drejtësisë Yoshihisa Furukawa.
Sipas ministrit, Tomohiro Kato, 39 vjeç, u var në Qendrën e Paraburgimit në Tokio. Në qershor 2008, Kato goditi me kamion në një turmë këmbësorësh në lagjen tregtare Akihabara, duke marrë jetën e tre personave dhe duke plagosur dy. Më pas ai doli nga automjeti dhe goditi disa kalimtarë me një kamë, duke vrarë katër dhe duke plagosur tetë të tjerë.
Furukawa tha se sipas rrethanave, dënimi me vdekje është i justifikuar. Sipas zyrtarit, Kato bëri përgatitje të kujdesshme për krimin e tij, ‘një akt mizor që çoi në pasoja jashtëzakonisht të rënda dhe pati një ndikim të madh në shoqëri’.
Pas arrestimit të tij në 2008, Kato shpjegoi veprimet e tij në polici, duke thënë se ishte ‘i lodhur nga jeta’.
“Erdha në Akihabara për të vrarë njerëz. Nuk kishte rëndësi se kë do të vrisja.” – tha ai. Ai e pranoi fajin, duke thënë gjithashtu se ishte i mërzitur nga bullizmi në internet.
Kato u dënua me vdekje në vitin 2011 nga Gjykata e Qarkut të Tokios, me gjykatësin që tha se vrasësi nuk kishte treguar ‘pendesë’ për krimin. Apeli i Katos u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë e Japonisë në 2015.
Japonia është një nga vendet e pakta të zhvilluara që zbaton dënimin me vdekje. Ekzekutimet kryhen me varje dhe zakonisht rezervohen për vrasje të rënda. Në raste të tilla, të burgosurit zakonisht kalojnë vite në pritje të vdekjes dhe u jepet njoftim vetëm disa orë përpara se të shoqërohen në trekëmbësh.
Mbështetja publike për dënimin me vdekje mbetet e lartë në Japoni, me 80% që mbështesin masën, sipas një sondazhi qeveritar të kryer në nëntor 2019.