Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në vend për shkak të zjarreve.
Në një postim në “Facebook”, Peleshi thotë se në 6 vatrat e zjarrit që janë aktualisht aktive në qarqet Berat, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Durrës po punohet që prej orëve të para të ditës.
Flakët për shkak të erës janë përhapur, por sipas ministrit pa rrezik për zonat e banuara. Peleshi thotë se situata më e vështirë është në fshatin Ndërshen, në Orosh, ku edhe ndërhyrja e helikopterit është e vështirë për shkak të kushteve atmosferike.
“Në 6 vatra zjarri në qarqet Berat, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Durrës po punohet prej orëve të para të ditës nga forcat operacionale në terren për të izoluar flakët që për shkak të erës janë përhapur, por pa rrezik për zonat e banuara.
Problematike është situata në fshatin Ndërshen, njësia administrative Orosh, Bashkia Mirditë, ku është e vështirë edhe ndërhyrja e helikopterit për shkak të kushteve atmosferike. Në terren forcat vijojnë punën të mbajnë nën kontroll vatrat afër banesave.”- shkruan Peleshi.