Nga Poli Hoxha
Shqipëria është e mbytur në llum. Këtë e përjeton gjithkush që i ka mbetur, një fije idealizëm dhe strukturë parimesh.
Duket sikur ata që jetojnë në këtë shtet, tashmë janë ambientuar dhe përshtatur me kutërbimin e rëndë që vjen nga aferat e korrupsionit qeveritarë; nga shndërrimi i krimit të organizuar a jo, në biznesmenë që punojnë me shtetin dhe pastrojnë para te oligarkët; që marrin leje ndërtimi e punë publike sa herë të duan e sa të munden.
Degradimi moral në çdo qelizë të shoqërisë, ka kaluar në një fazë të frikshme. Ai është legalizuar. Është bërë model për tu ndjekur, në karrierë, profesion, shtet dhe mbi të gjitha ka pushtuar edhe kalanë e fundit, medien.
Ata që për para dhe vëmendje janë të gatshëm të kalojnë vijat e kuqe të karakterit, vrasjes së ndërgjegjes, skuqjes, zverdhjes, frikës, frenave përpara ligjit, po ngjajnë se janë shumicë.
Fëmijët, të rinjtë po akuzojnë prindërit e ndershëm si të paaftë që nuk merren me korrupsion e drogë. Ndaj po futen me kokë pa u menduar dy herë, që ta korrigjojnë këtë gjë në gjeneratën e tyre.
Ky llum tashmë është legalizuar, edhe në media. Dhe ja ku e gjejmë veten në një situatë, kur të vjen turp që të prezantohesh si gazetarë.
Ky i ashtuquajtur “pushtet i katërt” nga shërbëtor i të vërtetës dhe publikut në fillimet e tij, kaloi te vegël e politikës në një fazë të mëvonshme. Pastaj në shërbim të krimit dhe sot ka mafien e vetë!
Liria e pakufizuar dhe pushteti që ka në vetvete është abuzuar deri në atë pikë, sa në një pjesë të madhe tashmë është kthyer në makineri që prodhon gjithnjë e më pak të vërteta, për çdo fushë të jetës. Madje edhe më keq; në një shpëlarës, transformues dhe devijues të saj.
Mjafton të lundrosh mes qindra portaleve anonimë apo edhe të “certifikuar” dhe shokohesh. Nuk kanë as cipë dhe as frikë të thonë gjysmë të vërteta, të shpifin e të vendosin “tullë” gjoba. Por jo vetëm këta.
Pak kohë më parë brenda medies më të madhe “Kombëtare”, Top Channel, plasi një “hapje barku” e paprecedentë. Figura qendrore aty, akuzonin njëri tjetrin për gjobë-vënie të mëdha. Iku u harrua. Secili prej akuzatorëve vazhdon në punë të vetë, domethënë bën media dhe gazetari!
Po ashtu flitet pa asnjë problem se i njëjti fenomen, qenka strategji për shumicën e gjigantëve shqiptarë mediatik. Nuk janë fjalë pazari, por akuza që i hedhin në publik vetë ndaj njëri tjetrit, sa herë që prishen ekuilibrat.
Këta janë “të mëdhenjtë” me pronarë që janë shndërruar në pasunarë dhe biznesmenë në çdo fushë duke vjelë shtetin. Të tillë vetëm për faktin se posedojnë media të madhe, por e cila çuditërisht del në fund të vitit “me humbje”.
Televizione e agjenci lajmesh me pronarë e drejtorë milionerë, kurse gazetarë që paguhen diçka më shumë se rroga minimale zyrtare. Kokulur dhe të shndërruar në shërbëtorë të pronarëve dhe shefave, sepse punojnë për bukën e gojës. Nuk ka më censurë në këtë lloj skllavërie të punëtorëve të medies, jemi në fazën e auto-censurës.
Kemi media të mbushura deri në grykë me reklama biznesesh, të cilët paguajnë vetëm e vetëm që të mos sulmohen. Që të heshtet, nëse rrugës ju ndodh diçka që ju prish reputacionin. Gazetarë “investigativë” që marrin rroga marramendëse, vetëm për të qepur gojën. Nëse sulmon biznesin apo bandën rivale, atëherë ke honorare; në kesh, e në natyrë.
Këta janë të mëdhenjtë, “peshkaqenët” që qëndrojnë krenarë dhe të plotfuqishëm mbi ujë.
Poshtë tyre, në fund të kënetës, qëndrojnë shushunjat dhe gjarpërinjtë. Duan të bëhen shpejt peshkaqenë, ndaj nuk kanë as skrupuj njerëzorë e profesionalë dhe aq më pak mëshirë. Lirinë e kanë me pashë. Kafshojë kë tu dalë përpara. Me të drejtë, me gjysmë të drejtë, duke shpifur dhe hedhur helm pa asnjë pikë problem në detin e madh të medies online.
Pastaj fshihen poshtë llumit dhe presin frytet. Nuk kanë pretendime, 500-1000-10000 euro, kap çfarë të kapësh, sepse nuk harxhon gjë përveç eterit falas.
Nuk ka rëndësi shuma e pagesës, sepse nuk kanë shpenzime për të bërë media profesionale. Janë mbi 900 portale të identifikuara dhe shumica e tyre nuk kanë as staf të deklaruar, as adresë, as numër telefoni. Viktimat e gjora, nuk kanë ku tu çojnë dot një ftesë për gjyq. Shfaqen vetëm pasi sigurohen, se gjoba po vjen!
Kjo është situate që po helmon një popull të çmendur, pas lajmeve dhe “skandaleve”. AMA dhe AKEP hesht, vegjetojnë.
Kurse qeverisë Rama duket hapur se i intereson, për të mos thënë se kjo ka qenë strategjia që në fillim të pushtetit. Strategji për të de-faktorizuar profesionistët e medies, të cilët ende kanë një shtyllë parimesh përreth karakterit.
Dhe ja ka arritur: Na lexojnë, klikojnë, komentojnë e shpërndajnë, por kurrkush nuk na beson. Të gjithë gazetarët dhe mediet pa përjashtim, janë të bëra pis apriori. Nëse kritikon, investigon apo denoncon në mënyrë profesionale nuk quhet, sepse je duke bërë shantazh dhe presion. Diçka do kërkosh pas kësaj, e sigurt.
Nëse bombardon me gjysmë të vërteta, devijon, shpif e krijon “skandale” pa prova të konsultuara (Në tre burime e kemi, ose e kemi pasur në fakt), sërish lexohesh, klikohesh, përshëndetesh, shahesh. por “jeta e puna vazhdon”.
Pra të gjithë pis, të gjithë të urryer, të gjithë të pabesueshëm, të gjithë në një thes, të gjithë llum, të gjithë “Kadrinj”. Dhe kështu e kanë kompleksuar “pushtetin e katërt” dhe hequr fuqinë që kishte dikur mbi publikun.
“Media online në Shqipëri është po aq e dëmshme sa propaganda naziste, pedofilia dhe terrorizmi”, deklaronte Edi Rama, në mes të dhjetorit të vitit të shkuar në një takim të OSBE për këtë çështje.
Ky që flet kështu nuk lëviz as gishtin për ligjin që i ktheu mbrapsht Venecia verën e vitit 2020, me disa rregullime thelbësore. Ligji për mediat online duhet i thanë- por jo si ai që ke bërë ti që synon tu mbyllë gojën kritikëve të qeverisë.
Në vend të kësaj ka krijuar një Agjencisë për Media dhe Informim (MIA) që varet prej tij direkt. Aty filtrohen, përpunohen dhe bëhen gati për tregun mediatik, gjithë lajmet që vijnë nga pushteti.
Por nuk është thjesht faji i një ligji të munguar, për të vënë rregull dhe shpëtuar medien profesioniste dhe të ndershme shqiptare. Venecia fliste për një organizëm vetërregullues, mes gazetarëve, por kam frikë se për këtë tashmë është vonë, sepse metastazat malinje (para me çdo mënyrë dhe mjet) kanë shkuar larg.
Por ka një mënyrë. SPAK (edhe prokuroria) duhet që të hapë një seksion të veçantë për këtë lloj të ri mafies në Shqipëri. Gjobat, shantazhet ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve (me faj apo jo qofshin), përdorimi i gazetarëve nga grupet kriminale për disinformacion apo në luftën që kanë brenda llojit, është Krim i Organizuar dhe pikë!
Nuk ka qenë në këtë nivel, por ka lulëzuar dhe është kthyer në industri kriminale gjatë këtyre 9 viteve.
Se kujt i intereson shkatërrimi, deligjimitimi i “pushtetit të katërt” i cili duhet të qëndrojë roje mbi tre të tjerët, dihet.
Janë duke notuar në pasuri e pushtet; janë duke u mbrojtur nga drejtësia dhe “dënimi” publik për shkatërrimin 30 vjeçar të këtij vendi të shkretë!
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Alfapress