Presidenti i ri Bajram Begaj ka dekretuar sot shkarkimin e Arben Ahmetajt nga detyra si zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave.
Presidenca ka njoftuar se Begaj ka dekretuar po ashtu edhe emërimin e Majlinda Dhukës si ministër Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe emërimin e Belinda Ballukut në postin e Zëvendëskryeministres.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, pas administrimit të propozimeve të Kryeministrit dhe shqyrtimit të tyre, ka dekretuar shkarkimin e z. Arben Ahmetaj nga detyra si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave. Presidenti i Republikës, ka pranuar propozimin duke dekretuar emërimin e zonjës Majlinda Dhuka si ministër Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe emërimin e zonjës Belinda Balluku edhe në detyrën e Zëvendëskryeministres, përpos detyrës që mban të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.”- njofton presidenca.
Këto ndryshime u njoftuan mëngjesin e djeshëm nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë të Enjten, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për t’i materializuar ato zyrtarisht.