Dy të rinj në Sarandë janë ndëshkuar nga Policia, pasi kryenin manovra të rrezikshme me “Jet ski” duke vënë në rrezik jetën e pushuesve.
Sipas uniformave blu, shtetasit me inicialet G. Zh., 35 vjeç dhe A. H., 45 vjeç, të dy banues në Sarandë, janë gjobitur me 10 mijë lekë secili, ndërsa u janë bllokuar edhe tre mjetet “Jet ski”.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt për pushuesit, kanë marrë njoftim për dy shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese, në det, duke rrezikuar pushuesit.
Pas lokalizimit të mjeteve lundruese, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, pronarët e mjeteve lundruese, shtetasit G. Zh., 35 vjeç dhe A. H., 45 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Gjithashtu u bë bllokimi i mjeteve lundruese me të cilët shtetasit G. Zh. dhe A. H. kryen manovra të rrezikshme. Gjithashtu u bllokua një tjetër mjet lundrues, në pronësi të shtetasit A. H., për mungesë dokumentacioni.
Policia Kufitare është e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë dhe të qetë për pushuesit. Për çdo rast të mosrespektimit të zonave të kufizuara me bova dhe për çdolloj paligjshmërie tjetër, mund të denonconi në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefononi në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.