40-vjeçari Dorian Keqi është personi i arrestuar sot nga Policia e Lezhës, i cili akuzohet si vrasësi i ish-drejorit të OST-së, Sajmir Jaku më 9 shtator 2016 në Rrëshen.
Keqi, i lindur në Kurbin e banues në Krujë akuzohet si vrasës me pagesë për krimin që dyshohet se u porosit nga një grup kriminal.
33-vjeçari Jaku i qëllua me automatik teksa po pinte një kafe në qendër të Rrëshenit ndërsa miku i tij që ndodhej në të njëjtën tavolinë, 50-vjeçari Gjergj Prenga u plagos me disa plumba.
Vrasja e Jakut dyshohet se ka të bëjë me një zinxhir vrasjesh hakmarrëse mes dy familjeve ë Mirditë, asaj Reçi e Gjini, ku janë vrarë pesë persona.
Vrasjet e ndodhura
Më 9 shtator 2016 vritet në Rrëshen Saimir Jaku, ish-drejtor i OST-së për veriun në OSHEE. Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri ‘kallashnikov’ nga dy persona ende të paidentifikuar, teksa ishte duke pirë kafe në një nga lokalet më të frekuentuara të qytetit të Rrëshenit, ndërsa mbeti i plagosur edhe miku i tij.
Më 28 prill 2017 vritet në Romë, Gasper Reçi, 43 vjeç. Sipas autoriteteve italiane që në atë kohë bashkëpunuar me policinë shqiptare, dyshohet se vrasja e Gasper Reçit kishte ardhur si hakmarrje për ekzekutimin e Saimir Jakut.
Më 6 shtator 2017 në Belgjikë, vritet Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut. Dyshimet e policisë belge ishin se ngjarja kishte të bënte me vrasjen e Gasper Reçit në Itali.
Cristina, e dashura e Kreshnik Gjinit, u tha hetuesve belgë se në 2016-ën është vrarë në Shqipëri daja i 31-vjeçarit Gjini, Samir Jaku.
Në gusht 2019 vritet në Rrëshen Armando Gjini. Pas vrasjes së tij dyshohet se qëndronte Kastriot Reçi.
Më 7 janar 2020, vritet në Rrëshen Kastriot Reçi. Ai u qëllua me një plumb me anë të një pushke me dylbi pranë lokalit të tij teksa po ecte në rrugë.
“Prej një viti, ai ndihej i kërcënuar.” – deklaronte asokohe ajo para hetuesve.