Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Pallati i Brigadave do mbushet me kulla, do ndryshojmë sheshin Skënderbej


Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen me grupin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore se Pallati i Brigadave, rrezikon të mbushet me ndërtime shumëkatëshe.

“Pallati i Brigadave. Ne kemi pasur një projekt me kooperacion italian, është trashëgimi e periudhës së tyre dhe ka qenë një projekt 8-11 milionë euro për restaurimin e tij. Tani nuk flitet më, sepse praktika është shkatërroje që ta transformosh. Nuk kam dëgjuar të flitet për një projekt që kooperacioni italian ishte tërësisht i angazhuar, siç ka qenë Teatri, siç kanë qenë të gjitha.

Do pësojë edhe ai fatin nëse vazhdohet në këtë mënyrë, pra një tjetërsim, do mbushet me kulla, me klube. Për ne kjo është një batërdi që i bëhet identitetit të Tiranës. Do bëjmë gjithçka të shpëtojmë aq sa mundemi. Me këtë valë të fuqishme shkatërrimi dhe transformimi, gjurmët e trashëgimisë po zhduken dhe do të zhduken” – tha Berisha në një takim me intelektualë dhe gazetarë në Tiranë.

Berisha më tej sulmoi edhe sheshin Skënderbej duke e konsideruar çnjerërzor dhe me funksion vetëm këmbësorësh.

Madje ish-kryeministri tha se sheshi duhet rivitalizuar duke paralajmëruar se me ardhjen e PD-së do ndryshohet.

“Sheshi është një turp i dheut, është një shesh çnjerëzor, shesh që kryen të vetmin funksion kalim këmbësorësh, kaq. Një shesh gjigant i zmadhuar në përmasa të frikshme dhe që janë tërësisht përveç Koresë së Veriut, nuk gjen kund sot shesh të tillë.

Sheshi duhet rivitalizuar, do punohet me arkitektë. Nuk kam qenë kurrë dakord që të përjashtohet trafiku. Tirana ka probleme me trafiku. Ja përjashtove qendrën nga trafiku, qytetarët marrin me ajër të ndotur helmet. Do rivitalizohet. Unë nuk mund të konceptoj një shesh pa treg, pa jetë, siç është sheshi i sotëm”– tha Berisha.