Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania mund të përballet me mungesë të letrave higjienike


Gjermania mund të përballet me mungesë të lëndëve kryesore si letra higjienike dhe kartoni nëse furnizimi me gaz rus zvogëlohet në muajt e ardhshëm. Kështu raportoi të mërkurën gazeta gjermane Zeit Online.

Jürgen Schaller, Kryetar i Bordit të Shoqatave Bavareze të letrës thotë se fabrikat operative të letrës mund të bëhen jofitimprurëse nëse detyrohen të prodhojnë me kapacitet të reduktuar për shkak të mungesës së gazit.

Prodhimi i letrës kërkon shumë ujë, energji elektrike dhe gaz, shpjegoi Schaller, duke shtuar se teknologjia është e provuar dhe e testuar dhe nuk mund të ndryshohet shpejt.

“Shumë punonjës në kompaninë time janë tashmë shumë të shqetësuar. Unë nuk mund t’i fajësoj ata. Sepse nëse mund të prodhojmë vetëm 50 ose 60 për qind, operacioni nuk ia vlen. Për të qenë i sinqertë, edhe unë shqetësohem.”– tha Schaller për Zeit Online.

Gjermania dhe BE-ja në tërësi kanë parë kohët e fundit një reduktim të furnizimeve me gaz natyror nga Rusia, gjë që çoi në paralajmërime të shumta për mbyllje të mundshme industriale. Tubacioni Nord Stream 1 aktualisht funksionon me kapacitet 20% për shkak të problemeve teknike me turbinat në stacionin e kompresorit Portovaya, shkruan RT.

Gazprom nuk është në gjendje të përdorë një rrugë tjetër tranziti, nëpërmjet Ukrainës, me kapacitet të plotë, sepse sipas gjigantit rus të energjisë, rrjeti i transportit të gazit të Ukrainës ka refuzuar aplikimet e tij për tranzit.