Vendosni fjalën kyçe....

“Beteja e Stalingradit për shpëtimin e Shqipërisë ka filluar”- Meta zbulon 3 detyrat për të cilat do të punojë Partia e Lirisë


Në mbledhjen e parë, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka treguar 3 drejtimet se ku do të fokusohet partia e tij.

Gjatë fjalës së tij, Meta tha se lufta kundërkorrupsionit, qeverisja e vendit dhe organizimi i partisë janë tre pikat kryesore.

 “Edhe kur situata ishte e paduruar. Ilir Meta nuk vë baste. Ilir Meta bën betim, bëri betimin në Kushtetutë? Tani ju e dini që nuk ju duroj. Edhe afati 5-vjeçar është. E kam mbrojtur Presidencën. Ka shumë halldupër dhe stomakprishur që mendojnë që po nuk dhe tendera dhe konçensione nuk ke pushtet. Të gjithë kundër i pati.

Edhe ju për fat të keq, pasi i dhatë besën Lulushit duke djegur mandatet. Deri kur e bëri mandatin Ilir Meta? Bëra dhe shqiponjën në shenjë respekti. Në partinë e re të Lirisë kemi përsëri Shqiponjën. Jemi popuj luanësh, nuk jemi popuj lepujsh që të na nëpërkëmbin shërbëtirët e dushmanëve. Nga sot ju bëj të ditur që do punojmë në tre drejtime:

Revolucioni antikorrupsion, Organizimi i Partisë së Lirisë duke u hapur dhe qeverisja e vendit. Dy të parat do të jenë detyrat tona kryesore. Përgatitja për qeverisje do jetë detyra ime kryesore. E para është revolucioni antikorrupsion. Ky është revolucioni për rivendosjen e lirisë dhe ndëshkimit.” – tha Meta.

Beteja e Stalingradit për të shpëtuar Shqipërinë ka filluar

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e parë të Komitetit Organizativ, Meta u tha anëtarëve të Partisë së Lirisë se “Beteja e Stalingradit” për të shpëtuar Shqipërinë ka filluar.

“Ata që mendojnë se kanë denoncuar dhe nuk i ka gjetur gjë, do bëjë pak burg ai aty…Mesazhi duhet të jetë i qartë, beteja e Stalingradit për të shpëtuar Shqipërinë ka filluar, të paktën për mua. E vetmja garë që kemi është ulja e korrupsionit, në këtë parti do promovohen ata që do të dalin ballë kësaj lufte.”– tha ai.

Më latë vetëm për 5 vite, Rama paguan mirë që opozita të flejë

Mes të tjerash Meta u kujtoi anëtarëve të partisë se “pa dashje” e lanë vetëm ndërsa ai kishte si mision që të mbronte Kushtetutën e vendit.

Ndërsa “ata të tjerët” sipas tij e lanë vetëm me qëllim, pasi kreu i qeverisë sipas tij di ta mbajë mirë opozitën të heshtur.

“Ju pa dashjen tuaj më latë vetëm kur po mbroja Kushtetutën. Paguan mirë Rama që opozita të flejë mirë. Kurse ata të tjerët më lanë vetëm me qëllim. Kur ishte për t’i rënë Tahirit i binin Beqes. Vazhdon akoma ka një pjesë të opozitës që kakarin sipas porosive që merr ai për të shfokusuar popullin, opozitën. S’kemi garë me njeri ne, e kemi kundër korrupsionit. Do të provomohen më shumë ata që do të dalin në ballë të kësaj lufte me investigime, kërkime, të vërteta.”- tha Meta.

Basha ishte infiltruar për të bërë opozitën fasadë

Meta e ka akuzuar ish- kryedemokratin Lulzim Basha se ndante fitimet dhe përfitimet me “mafien në pushtet”. Sipas Metës, Basha ishte infiltruar për të bërë opozitë fasadë. 

“Keni qeveri prej letre që ka dhunuar një popull zemër luan e sy shqiponjë, një popull ilirësh, por sic e kam paralajmëruar indirekt e direkt qeveria kur ra nga korrupsioni i paparë e veprimet antikombëtare kishte zënë përfundi Lulushin që u përpoqët aq shumë ta bënit kryeministër, që ishte shitur e infiltruar prej kohësh për të bërë fake opozitën që ndante fitimet dhe përfitimet me mafien në pushtet.

Tani kohët kanë ndryshuar, nuk kam ardhur në ish partinë e vjetër por u kam thirrur të gjithëve aty ku isha që në 2 mars me popullin e kushtetutës dhe popullin e lirisë.”- tha Meta.

Rama vjedhës i pamëshirshëm, shkeli dhe kodet kanunore

Pas akuzave për Bashën, ish-presidenti është kthyer me sulme edhe drejt kryeministrit Edi Rama të cilin e cilëson si vjedhës të pamëshirshëm. Madje tha se Rama ka shkelur edhe kodet kanunore.

“Teksa qeveria ecën me hap për të vjedhur e për të zhytur në borxhe Shqipërinë se e ka të qartë fundin e saj, ne duhet të ecim me ritëm më të shpejtë kundër korrupsionit. Në krye është Edi Rama, një vjedhës i pamëshirshëm që vjedh jo veç mes buxhetit të shtetit, jo të të dhënave të qytetarëve shqiptarë por ka shkelur dhe kodet kanunore duke përdorur firmat e atyre që kanë ikur nga kjo botë prej kohësh.”– tha Meta.

Ish-presidenti vazhdoi të thoshte se Rama ka vjedhur përmes tenderave sekretë gjatë pandemisë. Më pas tha se Rama nuk ka lidhje me socialistët, të cilët sipas tij janë marrë peng.

“Edi Rama nuk vjedh i vetëm, ai vjedh bashkë me atë enturazhin e tij që s’ka asnjë lidhje as me socialistët, që janë marrë peng të shkretët. Më vjen keq për ta, se i kam njohur, e kam qëndruar me ta në kohë të vështira, kam bërë punë të mira për Shqipërinë e Kosovën, por ky është mjeshtër i paparë për të kapur, shantazhuar, përcarë dhe ndaj i ka katandisur ashtu si janë sot.”- tha Meta.