Vendosni fjalën kyçe....

SHBA bëhet lider global në eksportin e gazit natyror të lëngshëm


Shtetet e Bashkuara janë bërë eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm (LNG). Kështu njoftoi të hënën Administrata e Informacionit të Energjisë në SHBA, e cila tha se eksportet u rritën me 12% në gjashtë muajt e parë të 2022 krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2021, duke cituar të dhëna nga CEDIGAZ, Shoqata Ndërkombëtare për Gazin Natyror.

Kjo i ndihmoi Shtetet e Bashkuara të mposhtin Australinë dhe Katarin, dy eksportuesit e tjerë kryesorë të LNG.

Administrata e Informacionit të Energjisë në SHBA (EIA) përmendi si arsye që çuan në këtë rritjen e çmimeve të gazit natyror dhe LNG-së, si dhe rritjen e kërkesës globale – veçanërisht në Evropë.

Që nga fundi i vitit të kaluar, vendet në kontinentin europian kanë rritur importet e tyre të LNG-së për të kompensuar furnizimet më të ulëta të tubacioneve nga Rusia dhe për të mbushur inventarët e magazinimit të gazit natyror që janë në nivele historikisht të ulëta. EIA shtoi se BE dhe Britania e Madhe rritën importet e tyre të LNG-së me 63% në gjysmën e parë të këtij viti dhe pak më shumë se 70% e LNG-së së prodhuar në Amerikë shkoi në BE dhe Britani.