Shtyhet për në shtator seanca gjyqësore e deputetes së PD-së Albana Vokshi me ministren e Arsimit, Evis Kushi.
Në një deklaratë për mediat, Vokshi tha se seanca është shtyrë për shkak të mbingarkesës në gjykatë si pasojë e grevës së avokatëve.
Vokshi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministren Evis Kushi se kanë degraduar arsimin në Shqipëri dhe e kanë kthyer në një celulë patronazhistësh.
“Gjyqi nuk u zhvilua për shkak të grevës së avokatëve, u shty për në shtator, do paraqitem personalisht. Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na mbyllur gojën, do vazhdoj të jem zëri i të rinjve, mësuesve, nxënësve për të denoncuar çdo skandal dhe abuzim për çdo keqpërdorim të mësuesve nga ana e ministres Kushi dhe Ramës.
Arsimi sot është degraduar, është sektori më i rëndësishëm në vend. Vetëm një kryeministër si Edi Rama mund ta çonte në këtë pikë. Rama po tregon se është armik i dijes, i arsimit. Kurrë më parë mësuesit nuk janë nënçmuar, kërcënuar, shantazhuar, keqtrajtuar financiarisht dhe pensionuar çdo ditë për vendin e punës nëse nuk bëjnë patronazhistin. Sot arsimi është shndërruar në një celulë patronazhistësh dhe militantësh të PS-së.
Bëj përgjegjës Edi Ramën dhe Evis Kushin, edhe pse me paditë e shumta s’do më bëjnë të hesht. Qeveria e tij është fatkeqësia më e madhe e këtij vendi. Mbas çdo ministri është Edi Rama.”- tha Vokshi.