Vendosni fjalën kyçe....

Tre “I.M” në regjistrin e klasës së Ilir Metës tek Fakulteti Ekonomik


Lidhur me akuzat nga Autoriteti i Dosjeve, ish-presidenti Ilir Meta tha se ai vetë njeh nga 50 persona me emrin Ilir Metaj, madje një e ka patur dhe në klasë.

Më poshtë është regjistri i klasës së ish-presidentit në Fakultetin e Ekonomikut, ku sikurse vihet re ka të paktën edhe një person tjetër me të njëjtin emër si ai, Ilir Mero Metaj, i renditur i 17-ti. Ndërsa me inicialet I.M janë tre persona, pasi kemi edhe Ilir Muratin.

Në një konferencë me gazetarët, Meta shpjegoi se në ato vite ka qenë vetëm Sekretar i Rinisë në Fakultetin e Ekonomisë për shkak të notave të mira që merrte, dhe e ka quajtur Autoritetin e Dosjeve si autoritetin e manipulimit dhe kriminalizimit.

“Unë në atë kohë kam qenë vetëm sekretar i rinisë së Fakultetit të Ekonomisë i zgjedhur që në vitin e dytë se isha pothuajse me të gjitha dhjeta po dhe kisha aftësi si lider që atëherë, e bëja organizime e kjo ishte merita ime kryesore.

Unë njoh nja 40-50 Ilir Metaj që njoh unë e njëri është dhe deputet.

Në klasën time kemi qenë dy Ilir Metaj, po edhe tjetri jam i sigurt që s’ka qenë. Autoriteti i manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve ka një përgjegjesi të madhe se për nevoja personale të Ramës shkatërron përfundimisht besimin e tij në publik e krijon shqetësime te shumë njerëz që në të kaluarën kanë bërë një gabim e janë prekur e tani mund t’u dalin emrat që kanë fëmijë, kanë krijuar familje e ky është përgjegjësi e Autoritetit të Dosjeve.”- deklaroi Meta para gazetarëve.