Epidemiologu Ilir Alimehmeti e ka cilësuar vendim të pabazuar në evidencë dhe në kundërshtim me komitetin e ekspertëve të OBSH-së shpalljen linë e majmunit emergjencë shëndetësore globale nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OBSH-së.
Mehmeti në postimin e tij thotë se 9 anëtarë ishin kundër dhe 6 anëtarë ishin pro shpalljes emergjencë shëndetësore globale. Por Teodoros Ghebreyesus vendosi kundër votës së ekspertëve
Mehmeti rendit më pas një sërë të dhënash për të cilat thotë se janë kokëforta dhe nuk përbëjnë alarm për ta shpallur emergjencë.
Rastet e reja janë të izoluara dhe jo të përhapura dhe në Evropë nuk ka pasur asnjë rast fatal.
Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së rrezikon që të ulë besimin te qytetarët thotë Alimehmeti.
Postimi i plotë:
“Faktet janë kokëforta! Pavarësisht nga dëshirat, prirjet apo pasionet tona, ato nuk mund të ndryshojnë dot faktet dhe evidencat.”-John Adams, Presidenti i Dytë i SHBA-ve
Miqtë e mi, me një vendim krejtësisht të pabazuar mbi evidencë dhe në kundërshtim me komitetin e ekspertëve të OBSH-së, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e shpalli linë e majmunit emergjencë shëndetësore globale!
9 anëtarë të komitetit të ekspertëve ishin kundër;
6 anëtarë të komitetit të ekspertëve ishin pro.
Tedros Adhanom Ghebreyesus vendosi vetë kundër votës së ekspertëve!
Ai shprehet: Megjithëse unë po deklaroj një emergjencë shëndetësore globale, në këtë moment ky është një shpërthim i përqendruar ndërmjet meshkujve që kryejnë marrëdhënie me meshkuj, veçanërisht ndërmjet atyre me partnerë seksualë të shumtë.
Thënë kjo, le të shohim të dhënat mbi rajonin Europë të përditësuara përpara një jave nga organi më i lartë zyrtar ECDC (European Center for Disease Control) në bashkëpunim me OBSH-në.
Deri më 19 korrik 2022:
10.604 raste janë identifikuar me linë e majmunëve;
99.5% e rasteve janë meshkuj;
38.4% e rasteve janë edhe HIV-pozitivë;
114 raste të vetme kanë pasur nevojë për kujdes klinik;
1 rast i vetëm ka pasur nevojë për shtrim në terapi intensive;
Asnjë vdekje e vetme në të gjithë Europën!
Tjetër element kyç që këshillon kundër këtij vendimi të pakuptimtë:
Në grafikët e rasteve të reja mund të shihet shumë qartë se vala e infektimeve të reja është praktikisht në rënie!
Ndër 3.203 persona që kanë shprehur orientimin seksual me të cilin identifikohen:
3.124 (97.5%) janë meshkuj që kryejnë marrëdhënie me meshkuj;
33 (1.03%) janë biseksualë;
46 (1.4%) janë heteroseksualë.
KUJDES:
Të dhënat absolutisht nuk duhet të shërbejnë për të stigmatizuar askënd për shkak të orientimit seksual, por ky informacion shërben për të këshilluar, informuar dhe ndërgjegjësuar grupet përkatëse për mbrojtjen e shëndetit personal dhe të partnerëve të tyre, pasi edhe fakti se 38.4% e të infektuarve janë HIV-pozitivë do të thotë se praktikojnë marrëdhënie të pambrojtura.
Pra, miqtë e mi, nuk ka asnjë arsye për shqetësim në nivel komuniteti!
Tedros Adhanom Ghebreyesus bën mirë të ndjekë votën e ekspertëve dhe jo të vendosë vetë në mënyrë arbitrare.
Duke bërtitur globalisht “Ujku, ujku! Majmuni, majmuni!” do të minojë besimin e qytetarëve ndaj OBSH-së dhe, nëse do të ketë një alert tjetër real në të ardhmen, ka risk që shpallja e ardhshme të mos besohet e të mos ketë impaktin e dëshiruar pozitiv.