Vendosni fjalën kyçe....

Berisha shpërndan letrën e urimit nga ish-presidenti George W. Bush për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve


Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka publikuar në Facebook një letër urimi që ish-presidenti amerikan George W. Bush ka shkruar sot për shqiptarët.

“Mesazh i mikut të madh të kombit Shqiptar, Presidentit George W. Bush me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Këtu më poshtë keni mesazhin e tij të plotë.”- shkruan Berisha ndërsa shpërndan letrën e ish-presidentit Bush.

Në këtë letër të publikuar nga Ambasada Amerikane pak momente më parë, Bush shprehet se nuk do e harrojë kurrë kohën që ka kaluar në vendin tonë, kur në vitin 2007 u bë presidenti i parë amerikan që e viziton.

Letra e ish-presidentit Bush

Unë dhe Laura ju dërgojmë përshëndetje dhe urimet më të ngrohta për mbarë popullin shqiptar teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ky gur kilometrik i veçantë është një dëshmi i miqësisë midis dy vendeve tona dhe vlerave tona të përbashkëta demokratike.

Në vitin 2007 isha krenar që u bëra presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që vizitonte Shqipërinë. Laura dhe unë nuk e harrojmë kurrë kohën që kaluam në vendin tuaj të bukur. Ne u bëmë vetë dëshmitarë të mikpritjes suaj të sinqertë dhe të përkushtimit tuaj ndaj demokracisë dhe marrëdhëniet e forta me Shtetet e Bashkuara.

Kujtoj gjithashtu pasionin tuaj për zhvillim dhe tolerancë. Jam i lumtur të shoh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara teksa vazhdojë të punojnë krah për krah si aleatë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke mbrojtur demokracinë, paqen dhe të drejtën e njeriut.

Shpirti shqiptar që kurrë nuk resht së përpjekuri për liri dhe tradita juaj e besës për t’u shtrirë dorën e ndihmës njerëzve në nevojë, janë vlera të cilat shpresoj do të bëhen shembull për të tjerët.

Shqipëria është një forcë e së mirës në botë dhe Shtetet e Bashkuara janë krenare që e quajnë mike dhe aleate. Gëzuar të gjithëve 100-vjetorin e miqësisë sonë jetëgjatë!