Gjykata e Tiranës ka mbajtur sot seancën për caktimin e masës së sigurisë për ish- efektivin e RENEA-s Remal Rada dhe shtetasin Elton Hithi, të cilët u lanë të dy në burg.
Sipas “Balkanweb” Hithi kishte një alibi lidhur me arsenalin me armë që iu gjet në makinë. Ai ka kërkuar masë me afat duke pretenduar se e ka telefonuar një person i panjohur në emër të një të njohurit të tij në Angli, dhe i ka thënë “kam një pako për ty. Hajde merre në Sauk, por është pak me rrezik”.
Hithi pretendon se ka shkuar për korrektësi ndaj shokut në Angli dhe e ka filmuar me telefon takimin. Ai marrë pakon dhe e ka vënë në makinë kur pak metra më poshtë i ka ndalur policia.
Ai tha se i ka në telefon edhe videon edhe kontaktet e personit që e ka telefonuar.
Arrestimi i Radës dhe Hithit
Remal Rada dhe Elton Hithi, janë vënë në pranga pak ditë më parë pasi në automjetin me të cilin udhëtonin iu gjet një arsenal i vërtetë armësh.
Në çantën e gjetur në makinë, është gjetur edhe një snajper, i cili i përkiste ish-efektivit të forcave RENEA.
Remal Rada ka shërbyer për një kohë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit dhe ishte larguar nga detyra rreth 3 muaj më parë.