Policia iraniane ka arrestuar liderin dhe katër anëtarë të tjerë të një rrjeti të dyshuar spiunazhi, që sipas Teheranit kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës izraelite.
Kështu njoftoi më 28 korrik organizata kundër-spiunazhit e Njësisë së Zbatimit të Ligjit në Iran.
Në deklaratën e publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve (ILNA), autoritetet thanë se anëtarët e rrjetit kishin mbledhur informacione “jetike” rreth Iranit, të cilat më pas ua kanë dërguar agjencisë së inteligjencës izraelite, Mossad, në këmbim të shpërblimeve financiare.
Zyra e Kryeministrit izraelit, e cila mbikëqyr Mossadin, nuk komentoi mbi arrestimet e raportuara.
Anëtarët e grupit dyshoheshin gjithashtu për përhapjen e propagandës kundër Iranit, thuhet në deklaratë.