Kryeministri Edi Rama në takimin e organizuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me ambasadën amerikane me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në, tha se në vendin tonë nuk ka asnjë forcë antiamerikane.
“Në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme antiamerikane apo dhe anti evropiane, dhe edhe kur ka mllef dhe ndienjë hakmarrje jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA si është mllefi ndaj reformës në drejtësi shfaqet në një formë gare dashurie kush e do më shumë Amerikën.
Madje deri në pikën që ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikanë.
Ky është aspekti komik dhe shumë domethënës që s’ka sot këtu një burrë që t’ja thotë SHBA në sy atë që realisht mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi apo kur i vjen tmerr të dalë nga shtëpia se i shikojnë damkën në lule të ballit.
Gjithmonë të gjithë jemi për SHBA disa janë për marrëdhëniet me këto SHBA disa të tjerë duan ato SHBA se janë pasardhës të Linkoln apo Rusveltit dhe kanë probleme me përfaqësuesit e tyre sot që e kanë ulur shumë nivelin.”– tha Rama.
Mes të tjerash, Rama shtoi se fakti që Shqipëria është baza politike e SHBA-ve është fiks gjëja që Enver Hoxha iu shmang 50 vite.
“…Është nder e privilegj që kemi arritur kemi një marrëveshje. Kemi marrë një lajm nga Uashingtoni për propozim për thellim të marrëdhënies strategjike me SHBA.
Shqipëria është baza politike e Shteteve të Bashkuara në rajon është epiqendra është fiks gjëja që Enver Hoxha luftoi 50 vjet që mos të ndodhte dhe shkoi ndodhi në ekstremin e asaj që ai donte të bënte. Falë kësaj marrëdhënieve ne do ta ndryshojmë rajonin.”- tha Rama.