Vendosni fjalën kyçe....

Rama u takua dje në Athinë me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite


Kryeministri Edi Rama është takuar ditën e djeshme në Athinë me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman bin Abdulaziz.

Lajmi është konfirmuar nga ministria e Jashtme e Arabisë Sauditë në “Twitter” ku thuhet se gjatë këtij takimi Rama dhe princi bin Salman rishikuan marrëdhëniet dhe aspektet miqësore të bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme.

Mirëpo nga kryeministri Edi Rama dhe zyra e tij e shtypit nuk është thënë ende asnjë fjalë mbi këtë takim.

“Në takim u diskutuan edhe mënyrat për konsolidimin e ekonomisë, partneritetit mes dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy palëve në fushën politike, duke rritur investimet bilaterale dhe koordinimin në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët.”– thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite.

Po ashtu shkruhet se kryeministri shqiptar “shprehu vlerësimin e tij të sinqertë për vendimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite për të mbështetur vendin e tij me një shumë prej 50 milionë dollarësh”.

E po ashtu përmendet interesi i Fondit të Investimeve Publike për mundësitë e investimeve në Shqipëri me vlerë rreth 200-300 milionë dollarë.