Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Sajmir Jakut në 2016-n, Gjykata e Lezhës lë në burg 40-vjeçarin Dorian Keqi


Gjykata e Lezhës ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest ne burg” për 40-vjeçarin Dorian Keqi, i cili u arrestua të hënën për vrasjen e ish-drejtorit të OST në Mirditë Saimir Jaku dhe plagosjen e Gjergj Markut, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2016.

Sipas “Report TV”, 40-vjeçari në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura e ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Ai pretendon se atë ditë kishte qenë në fshatin Vinioll të Kurbinit.

Kujtojmë se 40-vjeçari u zbulua pas 6 vitesh, pasi kishte lënë gjurmë në vendin ku ishte djegur automjeti i përdorur në këtë ngjarje.

Keqi, i lindur në Kurbin e banues në Krujë akuzohet si vrasës me pagesë për krimin që dyshohet se u porosit nga një grup kriminal.

Më 9 shtator 2016, 33-vjeçari Jaku i qëllua me automatik teksa po pinte një kafe në qendër të Rrëshenit ndërsa miku i tij që ndodhej në të njëjtën tavolinë, 50-vjeçari Gjergj Prenga u plagos me disa plumba.

Vrasja e Jakut dyshohet se ka të bëjë me një zinxhir vrasjesh hakmarrëse mes dy familjeve ë Mirditë, asaj Reçi e Gjini, ku janë vrarë pesë persona.