Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti në Kosovë i merr jetën dy personave, të plagosur dhe dy fëmijë


Një aksident tragjik u ka marrë jetën këtë të premte dy personave në Kosovë, ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe dy fëmijë.

Mediet në Kosovë raportojnë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, në rrugën Prishtinë-Podujevë, ku një makinë me targa të huaja është përplasur me një autobus.

Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën një grua 35-vjeçare me inicialet M.S dhe një 36-vjeçar me inicialet Sh.S.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e  viktimave: Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër,  35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor.”– ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Sipas gazetës Express, dy viktimat janë mërgimtarë nga fshati Jançishtë e Komunës së Malishevës.

Kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati tha gjithashtu se njëri nga fëmijët që ka mbetur i lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa tjetri i lënduar lehtë.

“Dy qytetarë nga Komuna e Malishevës e kanë humbur jetën në një aksident trafiku. Njëri nga fëmijët është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tjetri është i lënduar lehtë.  Komuna e Malishevës është në ditë dhimbje e pikëllimi për humbjen e tyre. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe gjithë qytetarëve.”– ka thënë Kastrati.