Pretendimet e presidentit francez Emmanuel Macron se Moska mbështet regjimet e paligjshme në Afrikë janë fyese për vendet e këtij kontinenti. Kështu tha sot ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.
“Nëse më kujtohet mirë, ai tha se ishte i shqetësuar me aktivitetin ushtarak dhe diplomatik të Rusisë në Afrikë dhe me atë që ai tha nuk ishte bashkëpunim, por mbështetja për regjimet absolutisht të dështuara, të paligjshme dhe juntat.”- u tha Lavrov gazetarëve gjatë udhëtimit të tij në Uzbekistan.
“Nëse shikojmë listën e shteteve që kemi vizituar në Afrikë, dhe nëse është ajo që tha ai, është shumë fyese për vendet afrikane, të cilat, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë të zhvillojnë vazhdimisht marrëdhëniet me Federatën Ruse.”- theksoi Lavrov sipas RT.
Lavrov vizitoi Egjiptin, Republikën Demokratike të Kongos, Ugandën dhe Etiopinë gjatë udhëtimit të tij katër-ditor në kontinent përpara se të mbërrinte në Uzbekistan të enjten. Kujtojmë se këto ditë Macron ishte në Afrikë në të njëjtën kohë, duke vizituar Kamerunin, Beninin dhe Guinea-Bissau.
Duke folur në Kamerun, një ish-koloni franceze, Macron e quajti Rusinë “një nga fuqitë e fundit koloniale perandorake”. Ai e akuzoi Moskën për mbështetjen e “fuqive të dobësuara politike” dhe “juntave ushtarake që nuk kanë legjitimitet” në Afrikë.
Macron shprehu gjithashtu shqetësime për punën e kompanisë ushtarake private të lidhur me Rusinë Ëagner në Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Por Kremlini ka mohuar se Wagner përfaqëson qeverinë ruse.
Lavrov tha vitin e kaluar se kontraktori privat ishte ftuar nga autoritetet e Malit për të luftuar terroristët pasi trupat franceze të stacionuara në vend ishin në proces të tërheqjes.