Vendosni fjalën kyçe....

Letra e Autoritetit të Dosjeve për Metën/ PS ndërmerr një nismë për ndryshimin e ligjit për dosjet e ish-Sigurimit


Pas letrës nga Autoriteti i Dosjeve që sugjeronte se ish-presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, Partia Socialiste ka ndërmarrë një nismë ligjore për ndryshimin e ligjit.

Deputetja socialiste Klotilda Bushka në një deklaratë për mediet, tha se kjo nismë ligjore konsiston në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht, nëse kanë ose jo certifikate të mëparshme pastërtie.

“Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.

Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.”– tha Bushka.

Deputetja e konsideroi të domosdoshme zbardhjen e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, ata që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore. Kujtojmë se ish-presidenti Meta i ka mohuar pretendimet e ngritura nga Autoriteti i Dosjeve, që sipas tij ka manipuluar informacionin pas një e-maili anonim.