Përfaqësuesi i ekipit të Microsoft për sigurinë kibernetike, Kevin Chin gjatë deklaratës për publikun në krah të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe drejtoreshës së AKSHI-t për të folur rreth sulmit kibernetik lexoi deklaratën e Kelli Bizel, zv.presidentes të korporatës së tyre për sigurinë në Microsoft.
“Microsoft është e përkushtuar për të ndihmuar klientët tanë për të arritur më tepër duke qenë të sigurt. Gjatë kësaj ngjarje ne mobilizuam shpejt njësinë tonë të reagimit që të ndihmojë qeverinë shqiptare të rikuperohet nga ky sulm kibernetik. Microsoft do të vijojë partneritetin me Republikën e Shqipërisë me menaxhimin e sigurisë kibernetike duke rritur nivelin mbrojtës nga sulmet keqdashëse”-thuhej në letër.
Ndërkohë zv/kryeministrja tha se për tu mbrojtur nga sulmi u punua me Microsoft, Jones Group dhe me FBI-në.
“Është e rëndësishme të themi që ne punojmë me partnerë ekselentë, siç është rasti i Microsoftit apo edhe ndihma që na është dhënë nga Jones Group, por pa harruar këtu edhe gjithë ndihmën që kemi marrë nga aleatët, edhe nga partnerët, duke nisur edhe nga kontributi i rëndësishëm që FBI ka dhënë”-tha Balluku.