Vendosni fjalën kyçe....

Rama inspekton punimet në Portin e Ri të Vlorës: Brenda gushtit dy ankorohen dy anijet që do prodhojnë energji elektrike


Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të fillimit të punimeve të Portit të Ri të Vlorës ku do të ankorohen anijet e peshkimit, tragetet e udhëtarëve dhe anijet e mallrave deklaroi se brenda muajit gusht do instalohen edhe anijet prodhuese të energjisë.

Në zonën e Portit të Ri anijet do prodhojnë 110 MWh. Rama tha se do jetë e vështirë për të gjetur energji elektrike pavarësisht se çmimet kanë shkuar në stratosferë.

“Këtu jemi në një zonë ku po merr jetë program më ambicioz i qeverisë sa i përket energjisë. Kjo që ndodh me futjen e 110 MWh të tjerë përmes detit është vetëm një hap i kësaj emergjence botërore sepse kemi ardhur që jo vetëm çmimi i energjisë ka ikur në stratosferë por ka filluar ajo që kemi paralajmëruar me kohë, rënia e volumit të mundshëm për tu blerë. Pra nuk jemi më në kushtet që çmimi është marramendës, por do të jetë e vështirë që ta gjejmë. Do marrim masat që Shqipëria të hyjë në fazë tjetër duke u bërë sovrane nga pikëpamja energjetike dhe duke u kthyer eksportues neto por kemi një fazë tranzicioni që duhet të bashkojmë të gjithë gjërat që janë përgatitur për kaq kohë dhe të krijojmë sinergji. Isha dhe në Athinë ku u takova dhe me Princin e Kurorës dhe u lidh marrëveshja për të sjellë interkonjeksionin nga Arabia Saudite në Greqi dhe për t’i shitur Greqisë dhe kësaj zone energjinë diellore që kanë në plan ta prodhojnë në sasira marramendëse. Jemi në kushte positive. Ajo që vlen është se do të vijë momenti që nuk do të kemi më nevojë të importojmë por të eksportojmë”- tha Rama.