Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi i AKSHI-it: Janë rikthyer mbi 98% e shërbimeve online. Nuk është fshirë asnjë e dhënë në servera


Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj ka deklaruar në konferencën për mediat se 98% e shërbimeve online janë rikthyer në funksion pas sulmit kibernetik disa javë më parë.

Ajo tha se asnjë e dhënë nuk është fshirë ndërsa theksoi se ishin dy lloje sulmesh.

“Administrata publike i është rikthyer normalitetit dhe procesit të punës hap pas hapi. Është izoluar aktiviteti keqdashës. AKSHI po punon me partnerët e Microsoftit.

Ky sulm nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit tonë. Ishin dy lloje sulmesh. Aktiviteti i parë ishte një lloj Ranoware që ka për qëllim marrjen e të dhënave kundrejt një pagese.

Por në këtë rast kjo ishte për të larguar vëmendjen nga qëllimi i vërtetë të sulmit për fshirjen e të dhënave. Nuk pati humbje të dhënash falë reagimit të shpejtë. Janë zbatuar protokollet dhe politikat ndërkombëtare të sigurisë kibernetike. Sistemet u verifikuan një nga një që të ishim të sigurt për çdo element para se të ktheheshin online.

Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i fiskalizimit u rikthyen në funksion brenda 12 orësh. DPSHTRR po ashtu, drejtoria e Doganave, Fondi me recetën elektronike. Mbi 98% e shërbimeve online janë tashmë funksionale. Katër ditë pas sulmit E-Albania u kthye në shërbim për një pjesë të shërbimeve”, deklaroi ajo.