Elbasani është tronditur mëngjesin e kësaj të shtune nga një krim i rëndë në familje, ku një 37-vjeçar goditi për vdekje me thikë bashkëjetuesen e tij.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në lagjen “Skenderbej”.
Viktima është identifikuar si Jetlira Elezin, ndërsa autori i dyshuar Ramis Mici është arratisur pas krimit.
“Në orët e para të mëngjesit, në lagjen ‘Skenderbej’, Elbasan dyshohet se shtetasi R.M., 37 vjeç, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëjetuesen e tij shtetasen J.E., 37 vjeçe. Si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.”- bëri me dije Policia.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Sipas televizionit “News 24” 37-vjeçari Ramis Mici jetonte prej 1 muaj e gjysmë me qira në lagjen “Skenderbej” në Elbasan.
Ai ishte baba i dy fëmijëve, ishte divorcuar. Ai jetonte me qira me bashkëjetuesen e tij të ndjerën Jetlira Elezi, e cila kishte një vajzë nga martesa e saj e parë. Vajza jeton me të atin.