Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka reaguar lidhur me debatet e krijuara pas letrës së Autoritetit të Dosjeve ku pretendohet se ish-presidenti Ilir Meta ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj i konsideron akuzat për Metën si “levë Arkimedi” për të goditur kundërshtarin në këto momente kur ai sapo ka krijuar forcë politike të re.
“Unë s’e di të vërtetën dhe nuk marr përsipër të bëhem zëdhënës i saj, por mosbesim kam të drejtë të kem duke gjykuar kontekstin politik kur argumenti u shfaq dhe u bë monopol i debatit publik. Ilir Meta sapo la presidencën dhe rithemeloi partinë e tij LSI në ‘Parti të Lirisë’ duke shfaqur ambicie të madhe opozitare u përball me këtë ngjarje. Duke e konsideruar momentin ‘levë Arkimedi’ për të goditur kundërshtarin krejt makineria e mazhorancës shpërtheu në iniciativa përmes Taulant Ballës e Klotilda Bushkës duke kompleksuar pjesën e deputetve që nuk i janë bashkuar ‘Foltores’. Ata me propozimet e tyre po duken në të njëjtën gjatësi vale me Qeverinë e cila ka ngut të shprehë kënaqësi për propozimet tona.”-shkruan Gjekmarkaj.
Ai bën thirrje që të hapen të gjitha dosjet pa përjashtim.
KOMENTI I PLOTË I GJEKMAKAJT
“Nëse ke një gjë me të cilën është luajtur piset në vendin tonë janë dosjet e sigurimit të shtetit. Ato rikthehen me stinë sa herë e kërkon diskursi politik. Ato do duheshin hapur që në vitin 1992, të gjitha pa përjashtim. PD e asaj kohe kishte një super maxhorancë. Në dritën e diellit duhej të dilte e keqja e 45 viteve përtej faktit kush paguan çmim më të lartë a më të ulët. Po kaq duhej ligj për punëtorët e sigurimit të shtetit, gjithë hierarkinë e tij, hetues, prokurorë e gjyqtarë të komunizmit. Po këto nuk ndodhen! Arsyet kuptohen. Përdorimi i tyre ishte qëllimi. PS ka qenë më e ftohtë ndaj këtij fenomeni duke i konsideruar kontingjentin jo të vogël elektorat e mbështetës politikë. Të gjitha shanse të humbura. E shkuara nuk bëhet më me ndoshta e sikur.
Dosjet duhen hapur, të gjitha, më mirë vonë se kurrë. Politika, administrata, diplomacia, policia, ushtria, drejtësia duhen pastruar nga bashkëpunëtorët dhe punëtorët, nga hierarkët e makinës shtypëse të regjimit. Ja ku jemi sot pas 32 vitesh dhe tema rikthehet por jo nga pozita etike. Thjesht nga pozita politike.
Prej ditësh flitet për një dosje të I M. Qeveria përpiqet ta lidhë atë me emrin e ish-Presidentit Ilir Meta fakt të cilin ai e ka kundërshtuar në mënyrë energjike. Unë s’e di të vërtetën dhe nuk marr përsipër të bëhem zëdhënës i saj, por mosbesim kam të drejtë të kem duke gjykuar kontekstin politik kur argumenti u shfaq dhe u bë monopol i debatit publik. Ilir Meta sapo la presidencën dhe rithemeloi partinë e tij LSI në “Parti të Lirisë” duke shfaqur ambicie të madhe opozitare u përball me ketë ngjarje.
Duke e konsideruar momentin “levë Arkimedi” për të goditur kundërshtarin krejt makineria e mazhorancës shpërtheu në iniciativa përmes Taulant Ballës e Klotilda Bushkës duke kompleksuar pjesën e deputetve që nuk i janë bashkuar “Foltores”.
Ata me propozimet e tyre po duken në të njëjtën gjatësi vale me Qeverinë e cila ka ngut të shprehë kënaqësi për propozimet tona. Momenti, iniciativat dhe mënyra e sjelljes, e pamiratuar nga grupi për këtë çështje po e shfaq atë (grupin) me pa të drejtë si orkestër të qeverisë në karadyzenin e ditës. Deklaratat përqafojnë njëra-tjetrën pavarësisht nga cili kamp nisen.
Ndjeshmëria e kësaj teme e vë në vështirësi një grupim të djathtë në shah-matin e përditshëm, por duhet gjetur forca për t’i ikur përdorimit i cili ka për qëllim diversionin mbi opozitën. Sa për dosjet ato duhen hapur të gjitha pa përjashtim. Kjo është njëra anë, tjetra makina shtypëse e diktaturës punëtorët e saj duhen lustruar.