Vendosni fjalën kyçe....

Biden rezulton pozitiv me Covid edhe pas trajtimit


Presidenti amerikan Biden rezultoi pozitiv për Covid-19 në një rast ‘rikthimi’ të shtunën, sipas Shtëpisë së Bardhë.

“Siç u përshkrua javën e kaluar, duke pranuar potencialin e të ashtuquajturit ‘rikthim’ pozitiv ndaj Covid-it të vërejtur në një përqindje të vogël të pacientëve të trajtuar me PAXLOVID, pesidenti u testua sërish, si për të mbrojtur njerëzit përreth tij, ashtu edhe për të siguruar zbulimin e hershëm të çdo rikthimi të virusit.” – tha doktori i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Kevin O’Connor.

O’Connor tha se Biden doli negativ për Covid-19 të martën në mbrëmje, të mërkurën në mëngjes, të enjten në mëngjes dhe të premten në mëngjes, por doli pozitiv të shtunën në mëngjes nga një test antigjeni.

Mjeku thotë se Biden nuk ka përjetuar rishfaqje të simptomave dhe nuk ka nevojë të rifillojë trajtimin.

Megjithatë, Biden do fillojë ‘procedurat e rrepta të izolimit’, sipas O’Connor.

Biden shkroi në Twitter të shtunën pasdite se do vazhdojë të punojë.

“Njerëz, sot dola përsëri pozitiv me Covid. Kjo ndodh me një pakicë të vogël njerëzish. Unë nuk kam simptoma, por do izolohem për sigurinë e të gjithëve rreth meje. Unë jam ende në punë dhe do kthehem në terren së shpejti.” – tha Biden.

Biden doli negativ për Covid-19 të mërkurën pasi u prek nga virusi javën e kaluar, përpara njoftimit të shtunën pasdite.