Vendosni fjalën kyçe....

Meta thumbon hidhur Ramën, publikon karikaturën e tij në revistën e Sigurimit


Kryetari i Partisë së Lirisë ka publikuar një karikaturë të vjetër të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se Partia e Punës e kishte atë karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike. Karikatura e vitit 1983 ishte publikuar në revistën “Në shërbim të popullit”.

“Partia e Punës e kishte Edi Ramën karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit.

Ndërsa Partia Socialiste e ka Edi Ramën, Kryetarin e bandës së inceneratorëve.

Pikërisht këtu do të fokusohemi dhe ne për të zbardhur grabitjet e tij galopante dhe për t’i dhënë ndëshkimin e merituar.

Në foto: (Karikatura e Edi Ramës në revistën ‘Në shërbim të popullit’, 10 tetor 1983).”-shkruan Meta.

Ky reagim i Metës vjen pas akuzave të ngritura ndaj tij nga Autoriteti i Dosjeve, se ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, pasi u zbulua se një person me inicialet I.M kishte spiunuar shokun e klasës të ish-presidentit që kërkonte të arratisej.

Por Meta i ka mohuar akuzat duke thënë se në klasën e tij të Fakultetit Ekonomik, kishte edhe dy persona të tjerë me të njëjtat iniciale si ai. Për më tepër,  ish-studenti që tentoi të arratisej në vitin 1989 dhe përfundoi i denoncuar në Sigurimin e Shtetit, Filip Talo është rrëfyer vetë në një intervistë për Hashtag.al (Lexo këtu), ku ka pranuar se ai është spiunuar nga një shok klase, por ka theksuar se ai nuk është Ilir Meta. Spiuni ishte një tjetër I.M. në klasën e tyre.

Në një konferencë për mediet ditën e djeshme, Meta ka paralajmëruar se Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për këto akuza të ngritura ndaj tij.