Vendosni fjalën kyçe....

Një sqarim për baltën që po hidhet ndaj babait të Altin Goxhajt


Ditët e fundit në mediat sociale ka nisur një sulm ndaj babait të avokatit Altin Goxhaj, pasi ky i fundit hodhi kandidaturën për Avokat Populli.

Studiuesi Kastriot Dervishi ka bërë disa sqarime lidhur me Enver Goxhajn në një shkrim në Facebook. Pasi sqaron pozicionet që ka mbajtur Goxhaj gjatë karrierës së tij në ushtri, ai radist e arkivist, ai vlerëson reagimin e tij fillim të viteve ’90 ku sipas Dervishit, Goxhaj ka qenë i vetmi që ka ngritur shqetësimin mbi asgjësimin masiv të dokumenteve në sistemin e Ministrisë së Brendshme.

Më tej ai shkruan se Goxhaj vijoi të shkruante në shtypin e kohës artikuj duke ngritur problematika të ndryshmë që kishin të bënin me dokumentet e Ministrisë së Brendshme.

Sipas Dervishit, Goxhaj u lirua nga detyra pikërisht për denoncimet e forta që ka bërë për asgjësimin e dokumenteve të cilat më pas dolën të gjitha të vërteta.

Në fund studiuesi thotë se sulmet ndaj Enver Goxhajt, që kanë nisur pas kandidimit të të birit Altin Goxhajt për Avokat Populli nuk kanë të vërteta brenda duke qenë se personi në fjalë ka qenë arkivist e radist e jo operativ apo hetues.

“Enver Goxhaj

Enver Goxhaj (1939-2021), ka qenë ushtarak që ka punuar radist dhe arkivist. Kulmet e karrierës së tij ishin si shef i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitet 1979-1983 dhe kryetar i Degës 4-t në Drejtorinë e Parë në vitet 1983-1990. Emrin e tij e kam lexuar për herë të parë në shtypin e viteve 1991-1992, kur i vetëm dhe me guxim qytetar ngriti shqetësimin për asgjësimin masiv të dokumenteve në sistemin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Shkroi disa artikuj për të rritur ndjeshmërinë e opinionit për mbrojtjen e trashëgimisë dokumentare të vendit. Po citoj disa të vitit 1991. Shkrimi i botuar më 12.6.1991 në “Rilindja Demokratike”, hidhte dritë mbi arin e vjedhur nga komunistët.

Shkrimi i botuar më 1.7.1991 në “Bashkimi”, “Pak dritë mbi një dikaster të errët”, ishte ndër të parët që zbërthente misteret e MPB-së. Shkrimi i botuar më 24.8.1991 në “Rilindja Demokratike”, “Të hapen apo mbyllen arkivat”, trajtonte probleme të tyre në kohës askush nuk e kishte mendjen te to. Shkrimi i botuar më 25.12.1991 në “Rilindja demokratike” “SHIK-u, tempulli ku falen mëkatet e kaluara”, ngrinte pikërisht problemet e dokumentacionit dhe vijimësisë së Sigurimit në këtë institucion.

Enveri ndau me mua plot informacione dhe ngjarje nga ajo kohë, ndër të cilët edhe statistikore të Degës së 4-rt, një prej të cilëve e bëra publik dje atë të informatorëve të viti 1990, për të cilët kish bërë studim. Shumë prej tyre do ishin të vdekura po mos përcilleshin. Ai u lirua nga detyra në vitin 1991, pikërisht për denoncimet e forta që bëri për asgjësimin e dokumenteve, të cilat rezultuan më vonë të gjitha të vërteta. Enver Goxhaj nuk ishte sikurse po lexoj se e paraqesin, në kuadër të kandidimit të djalit të tij, Altinit. Ai nuk lidhej me persekutimin dhe as i ka bërë keq njeriu. Ishte arkivist e studiues dhe jo operativ apo hetues.” – shkruan Dervishi në Facebook.