Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit në Irak sulmojnë sërish Parlamentin, dhjetëra të plagosur


Të paktën 60 persona janë plagosur pasi protestuesit sulmuan parlamentin irakian për herë të dytë brenda një jave.

Mbështetësit e klerikut Muqtada al-Sadr shkelën përsëri Zonën e Gjelbër të sigurisë së lartë në Bagdad, pasi kundërshtojnë emërimin e një kandidati rival pro-Iranit për kryeministër.

Blloku i Sadr fitoi shumicën e vendeve tetorin e kaluar, por nuk është në pushtet për shkak të një bllokimi politik.

Siç shkruan BBC, koalicioni më me ndikim në Parlament e ka dënuar protestën.

Korniza e Koordinimit të udhëhequr nga Shiitët u ka bërë thirrje irakenëve të organizojnë demonstrata “paqësore“, duke shtuar: “Shteti, organet e tij kushtetuese dhe paqja civile janë një vijë e kuqe.”

Gjashtë nga të plagosurit thuhet se janë në gjendje të rëndë.

Protestuesit janë zotuar të pushtojnë parlamentin deri në një njoftim të dytë, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Ata fillimisht u mblodhën në fund të një ure që të çon në Zonën e Gjelbër – e cila është shtëpia e një numri ndërtesash më të rëndësishme të kryeqytetit, duke përfshirë ambasadat.

Por dhjetëra protestues i shkatërruan barrierat e betonit që mbronin zonën dhe vrapuan brenda parlamentit ku valëvitën flamujt irakianë dhe fotografitë e Sadr.

Protesta e kësaj të shtune pason një protestë të organizuar të mërkurën, kur qindra njerëz hynë në parlament.