Sekretarja për Transparencën, Luftën kundër Korrupsionit në PD, Ledina Mandia ka reaguar lidhur me sekuestrimin e pronave të biznesmenit Anton Gjinajt me urdhër të SPAK-ut.
Mandia tha nga selia blu se Gjinaj është i lidhur me PS-në. Sipas saj kompania në pronësi të Gjinajt, ka marrë miliona euro në tendera dhe kontrata.
“I njohuri si Anton Gjinaj, Pashuk Gjini apo Pashk Rrapi, nuk është një i dyshuar për narkotrafik dosido.
Ai, si shumë të dyshuar apo të provuar të tjerë, është ‘djalë për shpirt’ i pushtetit dhe bashkive socialiste të Edi Ramës.
Nga një hulumtim i zyrës së anti-korrupsionit të Partisë Demokratike, na rezulton se firma e këtij individi, ‘Alessio 2014’ ka marrë miliona euro në tendera dhe kontrata.
Ai është sidomos i parapëlqyeri i bashkive socialiste, të njohura si gjeneratorë aferash të dyshimta, dhe të provuara në vjedhje seriale.”- tha Mandia.
Mes të tjerash, ajo i bëri thirrje SPAK të vendosë në fokus të hetimit edhe kontratat e Gjinajt si dhe aksesin në zyrat e shtetit.
DEKLARATA E PLOTË
SPAK ka sekuestruar pasuritë e shtetasit Anton Gjinaj, me dyshimin se vjen nga aktivitete kriminale në Shqipëri dhe Spanjë.
Anton Gjinaj është vetëm njëri prej emrave të përdorur nga i akuzuari: Kjo, në rrathët koncentrikë të së keqes, ku i bën punët qeveria e Edi Ramës, nuk bën përshtypje.
I njohuri si Anton Gjinaj, Pashuk Gjini apo Pashk Rrapi, nuk është një i dyshuar për narkotrafik dosido.
Ai, si shumë të dyshuar apo të provuar të tjerë, është ‘djalë për shpirt’ i pushtetit dhe bashkive socialiste të Edi Ramës.
Nga një hulumtim i zyrës së anti-korrupsionit të Partisë Demokratike, na rezulton se firma e këtij individi, “Alessio 2014” ka marrë miliona euro në tendera dhe kontrata.
Ai është sidomos i parapëlqyeri i bashkive socialiste, të njohura si gjeneratorë aferash të dyshimta, dhe të provuara në vjedhje seriale.
Bashkia Tiranë, bashkia Krujë, Bashkia Durrës dhe bashkia Lezhë, në 13 raste i kanë ofruar punë publike “Alessio 2014” dhe pronarit të saj Gjinaj, i dyshuar gjerësisht, edhe para urdhrit të SPAK, për pëfshirje në aktivitete të paligjshme.
Që nga ndërtimi i varrezave, asfaltimi i rrugëve, shembja e shtëpive të tërmetit, ndërtimi i qendrave komunitare, e me radhë, firma e Antonit me tre emra ka qenë e zgjedhura e të ngjashmëve të tij në krye të bashkive të PS.
Partia Demokratike, duke përshëndetur SPAK për sekuestron, i bën thirrje të fusë në fokus të hetimit edhe tenderat dhe kontratat e Anton Gjinajt.
Hetimi i aktivitetit të paligjshëm të narkotrafikut është vetëm njëra anë e historisë së këtij individi.
Aksesi në zyrat e shtetit, miliona euro të lëvruara në favor të firmës së tij, duhet të ngrenë, gjithashtu, dyshime dhe padi.
Me këtë martesë të padenjë të shtetit dhe krimit, Shqipëria është në rrezik.