Ministria e Jashtme e Ukrainës po kundërshton të lejojë ministren e Jashtme të Belgjikës të vizitojë vendin për shkak të një udhëtimi që ajo bëri në vitin 2021 në gadishullin e Krimesë, i cili nuk ishte miratuar nga Kievi, raportuan mediat lokale të enjten.
Sipas faqes së lajmeve Evropeyskaya Pravda, ndërkohë që Kievi nuk ia ka ndaluar zyrtarisht hyrjen në Ukrainë Hadja Lahbib, ajo e ka gjetur veten në një vend të vështirë.
“Askush nuk dëshiron të minojë marrëdhëniet me Belgjikën, një anëtare e BE-së dhe NATO-s. Por as veprime të tilla nuk mund të tolerohen, sepse do të krijojnë një precedent të rrezikshëm.” – thuhet në raport.
Lahbib, e cila ka punuar si gazetare përpara se të emërohej ministre e Jashtme, mori pjesë në festivalin “Global Values” të mbajtur në korrik 2021 në qytetin e Krimesë, Sevastopol.
Ajo thuhet se shkoi në gadishull jo përmes kontinentit ukrainas, por nga një qytet tjetër rus, i cili ‘ishte në kundërshtim me ligjin ukrainas’. Si rezultat, ministres mund t’i ndalohet të vizitojë Ukrainën për tre vjet dhe të gjobitet.
“Pasi u kthye, ajo bëri një sërë deklaratash që vunë në pikëpyetje nëse Krimea i përket Ukrainës.” – thuhet në raport, duke shtuar se Lahbib nuk do të jetë në gjendje të mbajë marrëdhënie me Kievin pa kërkuar falje.
Ministrja e Jashtme belge kishte premtuar se do të vizitonte Ukrainën ‘së shpejti’, por duke pasur parasysh reagimin e fundit, tani është e paqartë nëse ajo do të jetë në gjendje ta zbatojë këtë premtim.
Të enjten, Oleg Nikolenko, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, konfirmoi se Kievi është në bisedime me palën belge ‘për të përcaktuar të gjitha rrethanat e udhëtimit dhe për të marrë vendime në lidhje me kontaktet e mëtejshme dypalëshe’.
Zëdhënësi, megjithatë, përshëndeti ‘garancat e Lahbibit në lidhje me mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën në luftën e saj’ kundër Rusisë.
Në një përpjekje të dukshme për t’iu përgjigjur reagimit, Lahbib shkroi në Twitter se kritikëve të saj u kishte ‘munguar informacioni’ që ajo ishte gazetare përpara se të bëhej ministre.
“Udhëtimi ishte pjesë e punës sime gazetareske.” – përsëriti ajo.