Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria kineze ‘përgatitet për luftë’


Postimi i një grupi të ushtrisë kineze për ‘përgatitjen për luftë’ tërhoqi qindra mijëra miratime të premten në rrjetin social Weibo.

Megjithëse vjen pasi Pekini e ka paralajmëruar Uashingtonin kundër provokimeve mbi Tajvanin, postimi mund të jetë krejtësisht i padëmshëm dhe i referohet përvjetorit të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA)dhe një rreshti nga fjalimi i Presidentit Xi Jinping, sipas gazetës shtetërore Global Times.

Një mesazh që përmban vetëm dy karaktere në gjuhën kineze u postua të premten në faqen Weibo të ushtrisë, të Grupit të 80-të të forcave të armatosura, me seli në Weifang, provincën Shandong. Postimi nxiti shpejt mbi 300,000 reagime pozitive dhe afro 20,000 komente.

Fraza mund të përkthehet si ‘përgatituni për luftë’ ose ‘gati për të luftuar’, por Global Times tha se përkthimi i saktë ishte ‘Përgatitja për luftë!’

1 gushti do shënojë 95 vjetorin e themelimit të PLA dhe ushtria kineze po përgatitet me zell për të festuar. Megjithatë, postimi në Weibo vjen vetëm një ditë pas telefonatës mes Xi dhe presidentit amerikan Joe Biden, në të cilën udhëheqësi kinez dërgoi një mesazh shumë të mprehtë për SHBA.

“Ata që luajnë me zjarrin do vdesin prej tij. Shpresohet se SHBA-të do të jenë të qarta në lidhje me këtë.” – i tha Xi homologut amerikan, sipas leximit kinez të thirrjes. Pekini është në mënyrë të vendosur kundër separatizmit tajvanez të çdo lloji, shtoi Xi.

Megjithëse Biden këmbëngul se politika e SHBA-së në lidhje me ishullin nuk ka ndryshuar, ai nuk i ka mohuar zërat se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi synon të vizitojë Tajvanin në gusht.

Pentagoni thuhet se ka zhvilluar një ‘plan emergjence’ për të dërguar anije shtesë dhe avionë luftarakë në rajon, ndërsa Kina ka kërcënuar SHBA-në me ‘pasoja të tmerrshme’ nëse vizita nuk ndalet.

Pekini zyrtarisht e konsideron ishullin territorin sovran të Kinës, i cili do ribashkohet në kohën e duhur. Tajvani ka qenë nën kontrollin e nacionalistit Kuomintang, i cili u largua nga kontinenti me ndihmën e SHBA-së pasi humbi luftën civile kineze në vitin 1949.