SHBA ka hyrë në recesion, tha të enjten kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams, duke kundërshtuar pretendimet e mëparshme të presidentit Joe Biden se ekonomia është ‘në rrugën e duhur’.
“Jemi në një krizë financiare siç nuk mund ta imagjinoni kurrë. Wall Street është në kolaps; ne jemi në një recesion.” – tha Adams në një ngjarje në Nju Jork të organizuar nga ojf-ja ‘Project Hospitality’ siç citohet nga gazeta Hamodia.
Deklaratat e zyrtarit të lartë të qytetit vijnë në kundërshti me garancitë që Biden dha më herët të njëjtën ditë, duke deklaruar se pavarësisht faktit se ‘ekonomia po ngadalësohet’, përpjekjet e Uashingtonit për të luftuar inflacionin në rritje në vend e vendosën atë ‘në rrugën e duhur’.
Si Adams ashtu edhe Biden po komentonin shifrat zyrtare të publikuara më herët të enjten që tregonin se ekonomia amerikane është tkurrur për dy tremujorë radhazi, gjë që konsiderohet një shenjë e një recesioni.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut më vonë ndryshoi fjalët e tij, megjithatë, duke deklaruar se është prerogativë e presidentit të përshkruajë gjendjen e ekonomisë.
“Presidenti do vendosë për emërtimin zyrtar se ku jemi. Ky është presidenti dhe unë ndjek drejtimin e presidentit. Kemi të bëjmë me kohë të vështira ekonomike, por do i kalojmë, sepse kam besim te presidenti.” – tha ai për mediat.