Vendosni fjalën kyçe....

Kina kryen stërvitje ushtarake pranë Tajvanit mes tensioneve të larta me SHBA-në


Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës (PLA) ka nisur stërvitjet ushtarake në brigjet e provincës Fujian, pikërisht përtej ngushticës midis kontinentit dhe Tajvanit. Stërvitjet ku u përdorën armë të vërteta u njoftuan publikisht në mes të tensioneve në rritje me Uashingtonin mbi statusin e ishullit vetëqeverisës.

Stërvitjet ishin planifikuar të mbaheshin nga ora 08:00 deri në 21:00 të shtunën pranë ishujve Pingtan në brigjet e Fujian, tha Agjencia zyrtare e Lajmeve Xinhua, duke cituar burimet e ushtrisë. Zyrtarët detarë Pingtan kishin lëshuar një paralajmërim duke urdhëruar të gjitha anijet që të largoheshin nga zona gjatë stërvitjeve.

Njoftimi nuk ofronte hollësi mbi armatimin apo njësitë që do të testoheshin gjatë stërvitjeve. Pingtan është drejtpërdrejt midis kontinentit dhe Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron një provincë të shkëputur dhe pjesë të territorit sovran të Kinës.

Zyrtarët kinezë lëshuan paralajmërime të përsëritura këtë muaj se një udhëtim i planifikuar i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan do minonte marrëdhëniet e Amerikës me Kinën dhe mund të provokonte një përgjigje ushtarake.

Pelosi u nis për në Azi të premten e thuhet se kishte plane për vizita në Japoni, Korenë e Jugut, Malajzi dhe Singapor. Një ndalesë në Tajvan u rendit në itinerarin e saj si ‘provë’, sipas NBC News.

Pelosi do ishte zyrtarja më e lartë e qeverisë amerikane që do vizitonte Tajvanin që kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich udhëtoi në Taipei në vitin 1997.

Megjithatë, ndryshe nga Pelosi, Gingrich nuk përfaqësonte partinë në pushtet të Uashingtonit në atë kohë.

Tensionet mbi republikën ishullore janë përshkallëzuar muajt e fundit, pjesërisht në udhëtimet në Taipei nga politikanët amerikanë.

Presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi presidentin amerikan Joe Biden në një telefonatë të enjten se Pekini nuk do toleronte ‘ndërhyrje të jashtme’ në marrëdhëniet e Kinës me Tajvanin.

“Ata që luajnë me zjarrin do vdesin prej tij.” – i tha ai Bidenit.