Vendosni fjalën kyçe....

Rusia paralajmëron Kosovën për tensionet në veri


Qeveria në Prishtinë dhe mbështetësit e saj në Bruksel dhe Uashington duhet të ndalojnë provokimet e tyre dhe të respektojnë të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë, tha të dielën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Trupat serbe u vunë në gatishmëri të lartë dhe banorët vendas në veri të krahinës së shkëputur ngritën barrikada, ndërsa policia shqiptare etnike përgatitej për një goditje, shkruajnë mediat ruse.

Sipas Moskës, vendimi i Prishtinës është i paarsyeshëm dhe diskriminues dhe zëvendësimi i tyre me forcë i dokumenteve personale është ‘një hap tjetër drejt dëbimit të popullatës serbe nga Kosova, si dhe të institucioneve serbe të Kosovës që sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të banorëve serbë nga tekat arbitrare të radikalëve në Prishtinë’, tha Zakharova.

Kurti po ‘përshkallëzon qëllimisht’ për të nisur një goditje të armatosur, jo vetëm kundër serbëve në Kosovë por kundër Beogradit, të cilin Perëndimi dëshiron ta ‘neutralizojë’ duke përdorur shqiptarët etnikë si mjet, shtoi Zakharova.

Rusia i bëri thirrje ‘Prishtinës dhe SHBA-ve dhe BE-së që qëndrojnë pas saj që të ndalojnë provokimet dhe të respektojnë të drejtat e serbëve në Kosovë’, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme.

Më herët gjatë ditës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendi i tij ‘nuk ka qenë kurrë në një situatë më të ndërlikuar dhe më të vështirë’ dhe se autoritetet e Prishtinës po përpiqen të shfrytëzojnë situatën e tanishme në botë për të nisur një konflikt duke e paraqitur veten si viktimë.

Më herët serbët në veri të Kosovës vunë barrikada duke bllokuar hyrje-daljet ndërsa Prishtina mbylli dy pika kufitare.

Serbët kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie ndaj masave të reciprocitetit të autoriteteve kosovare për letërnjoftimet dhe targat e lëshuara nga Serbia, të cilat hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.

Serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit. Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ajrore dhe do jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.