Vendosni fjalën kyçe....

Tensione në veri të Kosovës, serbët vendosin bllokada, Prishtina mbyll dy pika kufitare


Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullimin e mjeteve në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, për shkak të bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve lokalë në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare.

Ajo ka njoftuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për të kaluar. Serbët kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie ndaj masave të reciprocitetit të autoriteteve kosovare për letërnjoftimet dhe targat e lëshuara nga Serbia, të cilat hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.

Serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ajrore dhe do jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi, shkruan REL.