Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në veri të Kosovës, Kurti mesazh qytetarëve: Po përballemi me shovinizmin serbomadh, ditët e javët në vijim sfiduese


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar presidentin serb Vuçiç dhe drejtorin e Zyrës pëe Kosovën Petar Petkoviç për tensionet e krijuara në veri të vendit.

Në një videomesazh drejtuar qytetarëve përmes Facebook ai tha se tensionet e larta e kanë burimin te Beogradi.

Kurti theksoi se qeveria e Kosovës është demokratike dhe respekton e zbaton ligjin, Kushtetutën, paqen e sigurinë për të gjithë qytetarët pa dallim. Më tej ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet nga qeveria e të mos lejojnë dezinformimin nga ana e autoriteteve serbe apo të ndonjë medieje në Kosovë.

Ai paralajmëroi së kohët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike pasi Kosova po përballet me shovinizmin serbomadh i cili njihet mirë duke u zotuar se qeveria do jetë në krye të detyrës për të bërë të mundur zbatimin e ligjit e të rendit.

Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullimin e mjeteve në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, për shkak të bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve lokalë në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare.

Ajo ka njoftuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për të kaluar. Serbët kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie ndaj masave të reciprocitetit të autoriteteve kosovare për letërnjoftimet dhe targat e lëshuara nga Serbia, të cilat hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.

Serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ajrore dhe do jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat.

Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.

Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre.

Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit. 

Ju falemnderit për mbështetjen.” – tha Kurti.